DURRËS – Skena të rrezikshme dhe papërgjegjshmëri totale janë regjistruar sërish në rrugët e Durrësit, ku një shofer i dehur ka sfiduar hapur autoritetet, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të forcave të rendit.
Një 44-vjeçar, në përpjekje e sipër për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, ka përplasur qëllimisht automjetin e patrullës. Ngjarja merr përmasa akoma më tronditëse pasi ka ndodhur vetëm një rrugicë më tutje vendit ku pak ditë më parë ndodhi tragjedia e rëndë që i mori jetën dy fëmijëve dhe la të plagosur një tjetër.
Ndjekja “filmike” në zonën e ish-Kënetës
Sipas informacioneve të para, patrulla e policisë ishte njoftuar për një automjet që lëvizte me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë plotësisht të pakontrolluar në rrugët e lagjes 17, në zonën e ish-Kënetës.
Sapo ka konstatuar mjetin dyshimtë, policia është vënë në ndjekje të tij. Në tentativë absurde për t’u larguar, drejtuesi i mjetit ka kryer një manovër të rrezikshme duke ecur mbrapsht, moment në të cilin ka goditur fuqishëm makinën e policisë që po e bllokonte.
Arrestohet Rezart Abazaj: Ishte dyfish më i dehur se shoferi i tragjedisë
Pas përplasjes, efektivët kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Rezart Abazaj, 44 vjeç.
Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultatet kanë qenë alarmante:
Niveli i alkoolit: 1.4 mg/l
Krahasimi: Kjo sasi është sa dyfishi i alkoolit që iu gjet shtetasit Nikoll Radaçi, shoferit që shkaktoi tragjedinë vdekjeprurëse të fëmijëve po në atë zonë.
Drejtësia e liroi para dy muajsh, ai u rikthye në rrugë si “bombë me sahat”
Ajo që e bën edhe më revoltuese këtë ngjarje është fakti se 44-vjeçari Rezart Abazaj është një përsëritës i rrezikshëm i së njëjtës vepër penale.
Skeda penalitetit: Më datë 5 mars të këtij viti, Abazaj ishte arrestuar sërish nga policia pas një incidenti me makinë po në gjendje të dehur në rrugën “Vëllazërimi”.
Megjithatë, Gjykata kishte caktuar ndaj tij vetëm masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, duke e lënë të lirë. Ky vendim e riktheu atë menjëherë në rrugë, ku natën e sotme rrezikoi seriozisht jetën e përdoruesve të rrugës dhe të punonjësve të policisë.
Aktualisht, Prokuroria e Durrësit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për ngritjen e akuzave të rënda ndaj 44-vjeçarit, ndërsa pritet që këtë herë masat ndaj tij të jenë ekstreme.






