Durim Bami pritet të ekstradohet gjatë ditës së sotme nga Dubai drejt Shqipërisë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar për kapjen dhe kthimin e personave të shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi realizohet pas përfundimit të procedurave ligjore në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. 47-vjeçari, banues në Nikël të Krujës, do të mbërrijë në Tiranë nën masa të rrepta sigurie dhe do t’i vihet menjëherë në dispozicion autoriteteve shqiptare.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e kishte shpallur në kërkim Bamin në kuadër të një hetimi në vijim. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 15 maj 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ai akuzohet për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted” vijon për lokalizimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia ka bërë me dije se pas mbërritjes së Bamit në Shqipëri do të ketë një njoftim të plotë për median.

Durim Bami është një nga personat më të shumëkërkuar të drejtësisë shqiptare, i konsideruar edhe si i ‘forti’ i Niklës.

I përfolur në shumë ngjarje të rënda kriminale, emri i Durim Bamit doli në komunikimet e zbërthyera të aplikacioneve SKY dhe EncroChat, në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Nga bisedat e verifikuara nga SPAK, rezulton se ai ka krijuar kushtet për vrasjen e ish deputetit socialist, Arben Ndoka, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Vetë Bami ka qenë në shënjestër të disa grupeve kriminale, të cilat pavarësisht përpjekjeve nuk kanë mundur ta eliminojnë fizikisht atë.

Në nëntor të vitit 2020, Bami i shpëtoi një atentati në Tapizë të Fushë-Krujës, ku drejt automjetit me të cilin po udhëtonte, u qëllua me breshëri plumbash. I plagosuri mbeti kushëriri i tij, Ervin Kodra, i cili ishte pasagjer.

Në shkurt të vitit 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.

Emri i tij përfshihet dhe në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës.

Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte dhe financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin.

Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.

Kush është Durim Bami:

Durim Bami, një nga krerët e shtatë bandave të hetuara në dosjen voluminoze të mundësuar falë komunikimeve të kryera në aplikacionin SKY ECC, u arrestua së fundmi në Dubai për llogari të autoriteteve shqiptare, bëri të ditur Policia e Shtetit.

Bami, 45 vjeç, akuzohet për organizimin dhe porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor të vitit 2020.

SPAK goditi shtatë grupe kriminale dhe ngriti akuza kundrejt pesëdhjetë të dyshuarve në maj të këtij viti, një nga goditjet më të gjera kundër strukturave të krimit të organizuar në vend, të cilat shtrinin aktivitetin e tyre në një pjesë të madhe të territorit, nga Shkodra në Lezhë, Mamurras, Fushë-Krujë, Rrëshen, Burrel, Tiranë, Shijak, Durrës, Fier e Vlorë, duke zbardhur tetëmbëdhjetë episode kriminale, hetim që u mundësua falë ndihmës së vendeve partnere si dhe institucioneve Eurojust dhe Europol.

Sipas dosjes, e cila përfshin aktivitete kriminale prej pak më shumë se një vit nga fillimi i vitit 2020 deri në fillimin e vitit 2021, Bami u vu nën shënjestër për t’u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se Ndoka dyshonte se ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka.

Atentati ndaj Bamit në nëntor 2020 dështoi, gjë që solli plane nga ana e Bamit për të vrarë Arben Ndokën.

Bami, i cili u bë i njohur në vitin 2015 pasi ish-deputeti Tom Doshi e prezantoi atë në publik dhe para autoriteteve, si një vrasës me pagesë që kishte marrë porosi për ta vrarë Doshin por që kishte vendosur të mos e bënte.

Në dosjen e shtatë bandave, Bami paraqitet si një biznesmen i fuqishëm, i cili porosit dhe organizon vrasje, kultivon kanabis në sasi të stërmëdha dhe në një territor të gjerë nga bregdeti i Adriatikut deri në malësinë e Krujës si dhe korrupton policë të ndryshëm për çështje nga më të ndryshmet, nga lejimi i muzikës së lartë për lokalin e tij të parapëlqyer në Tiranë te mosrraportimi i krimeve apo vonesa e inspektimeve kundër kultivimit të drogës.

Ai paraqitet në një rast si agjent pronash të patundshme kur një person i paidentifikuar i kërkon ndihmë për të shitur një mjedis biznesi në Tiranë “për një nga çunat e Anglisë” me sipërfaqe 240 metra katrorë dhe më çmim 4 mijë euro për metër katrorë.

Komunikimet e Bamit në Sky ECC sugjerojnë se ai e gjeti blerësin potencial me shpejtësi duke e prezantuar ofertën si shumë të mirë pasi, në zonën e Komunës së Parisit, ku gjendej prona për shitje, sipas Bamit, çmimet arrijnë në 7 mijë euro për metër katror.

Ekstradimet nga Dubai kanë rezultuar të vështira për Shqipërinë, gjë që e ka bërë këtë vend në Lindjen e Mesme destinacion të shumë figurave të krimit shqiptar.

Bami është një nga të paktët krerë të bandave i cili është arrestuar deri më tani. Krerët e tjerë, si Arben Ndoka apo Xhelal Rraja vijojnë të mbeten në arrati.