Mediat italiane kanë publikuar informacione të reja lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri teksa ndodhej në një automjet në Montecalvoli di Santa Maria a Monte, një zonë në provincën e Piza.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, në rrugën kryesore të qendrës së qytetit. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, i riu po kthehej drejt banesës pas një nate në një klub nate në zonën e Valdera, ku dyshohet se kishte pasur një konflikt.
Në momentin e sulmit, 25-vjeçari udhëtonte në makinë së bashku me një mik dhe një kushëri. Ai ndodhej në sediljen e pasagjerit kur një automjet tjetër iu afrua dhe u qëllua me armë zjarri në drejtim të tyre. Hetimet fillestare sugjerojnë se autorët mund të kenë pasur njohje me viktimën dhe se atentati lidhet me përplasjen e mëparshme në lokalin e natës.
I riu shqiptar ishte i punësuar në një lavazh automjetesh në Fucecchio, ku jetonte dhe punonte prej kohësh.
Të shtënat dhe reagimi i banorëve
Banorët e zonës kanë dëshmuar se dëgjuan të paktën tre të shtëna me armë zjarri në orët e para të mëngjesit. Pas krismave, në rrugë u dëgjuan thirrje alarmi nga persona të pranishëm që bërtisnin se i riu ishte vrarë.
Krimi ndodhi përpara një bari dhe pranë selisë së Misericordia di Montecalvoli, duke tronditur komunitetin lokal dhe duke vënë në lëvizje forcat e policisë, të cilat vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.







