Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku 20-vjeçari Renato Xyke akuzohet si autor i vrasjes së 26-vjeçarit Kevin Muharremi.
Sipas mediave vendase në Itali, autori i dyshuar, gjithashtu me origjinë shqiptare dhe banues në zonën e Santa Maria a Monte, u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes. Arratisja e tij përfundoi në autostradën A1, në segmentin pranë Arezzo, qindra kilometra larg vendit ku dyshohet se ndodhi krimi.
Sipas hetimeve paraprake, viktima u qëllua me armë zjarri në qafë nga një plumb i shkrepur nga një automjet tip SUV që iu afrua paralelisht makinës ku ndodhej. Dyshohet se ngjarja lidhet me një konflikt të mëparshëm mes të rinjve, i cili kishte nisur pas një sherri në një lokal në zonën e Montopoli Valdarno.
Pas të shtënave, i dyshuari u largua i vetëm nga vendi i ngjarjes me një mjet tip Range Rover Evoque gri të errët. Ai u ndalua më pas nga policia rrugore në autostradën A1, pranë Arezzos, duke i dhënë fund arratisjes disaorëshe.
Autoritetet italiane po verifikojnë nëse mes dy automjeteve ka pasur ndjekje para momentit fatal. Ndërkohë, mësohet se Kevin Muharremi jetonte dhe punonte në Fucecchio, ku ishte i punësuar në një lavazh dhe servis automjetesh.
I dyshuari për vrasjen ndodhet tashmë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore në Piza, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.






