Një delegacion i Komisionit për Kontrollin Buxhetor të Parlamentit Europian, i drejtuar nga kryetari Niclas Herbst, ka përfunduar një mision inspektimi në Mal të Zi dhe Shqipëri, duke analizuar masat për mbrojtjen e fondeve të BE-së.

Vlerësime dhe shqetësime

Sipas njoftimit zyrtar, eurodeputetët përshëndetën ngritjen dhe funksionimin fillestar të mekanizmave të rinj të kontrollit dhe auditimit në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (RGF). Qëllimi i tij është menaxhimi i shëndoshë financiar i fondeve të BE-së.

Megjithatë, z. Herbst theksoi se “mbeten ende shqetësime serioze mbi mënyrën se si do të përdoren fondet e RGF-së”. Ai përmendi korrupsionin e rrënjosur, krimin e organizuar, rreziqet në prokurime dhe vonesat kronike në infrastrukturë. Po ashtu, ai denoncoi presionet politike mbi organet mbikëqyrëse, ndjekjen e dobët gjyqësore me gjykata të mbingarkuara, margjinalizimin e shoqërisë civile dhe keqpërdorimet e mëparshme të fondeve në Shqipëri. Për Malin e Zi, ai veçoi varësinë e tepruar nga turizmi dhe pasuritë e paluajtshme.

“RGF, mundësi historike”

“RGF është një mundësi historike për Ballkanin Perëndimor, por suksesi i tij varet nga besueshmëria dhe qeverisja e fortë”, deklaroi Herbst pas vizitës.

Delegacioni vlerësoi se, ndonëse Mali i Zi mbetet pararendës, të dy vendet kanë avancuar në përafrimin e kornizave ligjore dhe institucionale me standardet e BE-së – sidomos në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, rikuperimin dhe konfiskimin e aseteve dhe luftën kundër pastrimit të parave. Ministritë e financave dhe koordinatorët e RGF-së konfirmuan se mekanizmat për kontroll të brendshëm dhe auditim tashmë funksionojnë.

Sfida për dy vitet e ardhshme

Herbst paralajmëroi se rruga nga miratimi i rregullave deri te ndërtimi i një kulture llogaridhënieje është e gjatë. “Në dy deri në tre vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria duhet të tregojnë rezultate të prekshme duke siguruar pavarësinë gjyqësore dhe të auditimit dhe duke përfshirë shoqërinë civile,” tha ai.

Parlamenti Europian pritet të monitorojë nga afër zbatimin e këtij procesi, pasi  sipas tij “në lojë është besueshmëria e vetë procesit të zgjerimit të BE-së”.