Mbrëmjen e 12 marsit në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet, u regjistrua një atentat që la pas 1 viktimë dhe 6 të plagosur mes të cilëve edhe mbesa e viktimës. Të plagosurit janë Astrit Meraj, 42 vjeç, Emanuel Sala, 47 vjeç, Ermir Bejuku, 45 vjeç, Genc Shohalli, 55 vjeç dhe Sahit Murati, 50 vjeç, xhaxhai i Fatjon Muratit që dyshohet se ka qene objektiv i atentatit.

E ndjera është Mimoza Paja, banakiere në lokal e cila u vra aksidentalisht nga plumbat, teksa mbeti e lënduar nga copat e xhamave edhe një vajzë 10-vjeçare, mbesa e banakieres. Ndërkohë sipas burimeve nga grupi i hetimit, pavarësisht se viktimë e atentatit të 12 marsit mbeti banakjeria Paja, objektiv i këtij atentati, kanë qenë familjarët e Fatjon Muratit. Ngjarja lidhet me një sërë vrasjesh zinxhir të kryera për shkak të konflikteve të disa grupeve rivale.
Mësohet se objekt i sulmit drejt lokalit në pronësi të vëllezërve Fatjon, Ylli dhe Ervis Murati, motivi ka qenë hakmarrja, në vazhdën e ngjarjeve kriminale, të ndodhura së fundmi në qytetet e Tiranës, Lezhës, e Laçit.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj tha në një komunikim për mediat në lidhje ngjarjen e rëndë të ndodhur në Don Bosko më 12 mars, se tashmë policia ka emra konkret të personave të përfshirë.

Ai shtoi se hetimet janë duke vazhduar për ngjarjen dhe nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.
“Lidhur me ngjarjen që ju pyesni pa ndërprerë vazhdion të funksionojë një grup i dedikuar nën drejtimin e prokurorit. Polica ka informacione për persona konktret të përfshirë në këtë ngjarje, për shkak të sekretit hetimor nuk mund të japim detaje në këto momente. Në çdo rast që ne do të kemi përparime themelore në këtë hetim do ua bëjmë të ditur mediave dhe publikut”,-tha Tonin Vocaj.






