Bashës i duhet edhe një “armik”
E gjitha kjo mund të ketë një peshë edhe më të rëndë sesa goditjet paraardhëse.
E para sepse këtë radhë goditja do të vijë nga një vend që, me apo pa të drejtë, shqiptarët e idealizojnë si simbolin e lirisë.
E dyta sepse aleatët e PD-së, të etur për një post deputeti, tashmë kanë folur duke deklaruar se kjo është oferta më e mirë e mundshme deri më tani (lexo shkrimin poshtë).
Dhe së treti, sepse Basha rrezikon të pikturohet si politikani kapriçoz që i thotë “Jo” me kokfortësi çdo propozimi, pavarësisht se sa bujar është ai.
Por, pavarësisht nga këto oferta zemërgjëra Lulzim Basha është i detyruar të rrefuzojë edhe një herë.
Sepse sado të mrekullueshme të jenë lëshimet që i janë bërë, sado që ato mund të konsiderohen pa frikë si paketa më e mirë që ndonjë opozite i është dhënë këtë çerekshekulli, ato janë të pamjaftueshme që në shqipëri të ketë zgjedhje minimalisht të ndershme. Lulzim Basha ka thënë gjatë gjithë kësaj periudhe se e vetmja garanci që gara elektorale të ishte “free and fair”, lidhej me mosqenien e Ramës në postin e kryeministrit.
Ai është munduar ta argumentojë këtë.
Ai ka dhënë me dhjetra shembuj se si ky kryeministër mban të ngritur një oktapod ekstrademokratik, me paratë e drogës, me mediat e blera, me biznesmenët e koncesioneve, që të gjithë bashkë do të bëjnë një front për pushtetin e padrinos që i drejton.
Prandaj sipas kësaj logjike të Bashës zgjedhjet janë të marra fund që pa u hapur kutitë e votimit. Loja ka mbaruar ende pa u shkrepur pistoleta që paralajmëron fillimin e startit.
Duke bërë këtë arsyetim Basha është munduar të argumentojë për afro tre muaj në çadër se këmbëngulja e tij për zgjedhje pa Ramën, nuk është as një tekë, nuk është as një përpjekje buracake për të fituar pushtet në tavolinë, por një kërkesë e domosdoshme për të çliruar sistemin nga ai që e mban peng.
Por, paketa e sotme e emisarit amerikan Hoyt Brian Yee, as në versionin e saj më të mirë nuk e cek këtë obsion si mundësi kompromisi. Ajo i ofron opozitës qeveritarë të lartë, mundësi kontrolli, monitorim ndërkombëtar, por kurësesi atë që Basha ka identifikuar si problemin kryesor.
Dhe pikërisht për këtë Basha është i dënuar ta shndërrojë në « armik » edhe Hoyt Brian Yee.
Sepse, përndryshe ai do të dilte se i kishte gënjyer, demokratët, idhtarët e « Republikës së re » dhe mbarë shqiptarët për atë që u kish thënë 90 ditë me radhë.
Sepse ai do krijonte iluzionin e rremë se Rama qenkësh i kontrollueshëm.
Sepse, duke pranuar paketën « McAllister + » ai do i garantonte votuesit se nuk ka më asnjë mundësi që zgjedhjet të trukohen dhe rrezikonte të dilte qesharak, një ditë pas përfundimit të tyre.






