Në një bisedë të sinqertë dhe mjaft emocionale me Stenaldon, Luizi ka ndarë me publikun një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, duke rrëfyer momentet kur kishte humbur çdo shpresë për të ardhmen dhe për krijimin e një familjeje.
Ai tregoi se para se të bëhej baba në moshën 38-vjeçare, kishte kaluar një fazë të errët psikologjike, ku vetmia dhe ndjenja e dështimit e kishin çuar drejt mendimeve shumë të rënda. Sipas tij, në moshën 37-vjeçare besonte se nuk do të kishte kurrë një familje dhe se nuk do të arrinte të ishte një shembull për një fëmijë.
Luizi u shpreh se për një kohë të gjatë kishte jetuar i vetëm dhe kishte vuajtur thellë nga vetmia, duke përjetuar stres dhe depresion. Ai pranoi se në një moment kishte menduar edhe t’i jepte fund jetës, duke e cilësuar atë si një periudhë jashtëzakonisht të rëndë.
Megjithatë, ai theksoi se kalimi i asaj faze e bëri më të fortë dhe e çoi drejt një reflektimi të thellë për jetën. Sipas tij, pas periudhës së errët vjen një moment kur njeriu përballet me realitetin dhe duhet të zgjedhë rrugën për të vazhduar përpara.
Luizi shtoi se përvoja e vetmisë dhe dhimbjes e kishte bërë më të fortë emocionalisht dhe e kishte ndihmuar të vlerësonte më shumë jetën dhe familjen, duke e konsideruar sot atësinë si një nga dhuratat më të mëdha që ka marrë.
“Unë 38 vjeç u bëra baba. Unë isha 37 kur i kisha humbur shpresat. Thoja që nuk ka njeri për mua. Nuk do kem kurrë familje, nuk do jem kurrë kryefamiljar, nuk do jem kurrë një shembull i fëmijës tim. U mësova me këtë dhe e kam vuajtur shumë. Kam jetuar vetëm dhe vetmia, nuk ka gjë më të keqe. Por po u mësove, nuk të prek asgjë. Në vetmi ti kalon gjithçka, kalon në depresion, në stres. Kam tentuar të bëj gjithçka, kam tentuar edhe budallallëqe. Kam tentuar të bëj një budallallëk shumë të rënd, që ishte t’i jepja fund jetës. Është e rëndë.
Por çfarë ndodh? Po e kalove këtë fazë, shkon te faza që bëhesh shumë i akullt. Dhe shkon në atë pikë që thua: ‘Kur kësaj bote nuk i intereson për mua, pse më duhet mua të më interesojë për këtë botë?’. Aty stopon gjithçka. Aty ke rrugën më të rëndësishme”, u shpreh Luizi.
Rrëfimi i tij ka prekur ndjekësit dhe ka nxitur reagime të shumta në rrjet, duke hapur diskutime për rëndësinë e shëndetit mendor dhe mbështetjes në momentet e vështira.






