Hajdut

Erion Selmani

Na patën premtuar autostradën për në Europë, dhe ne u nisëm. Por realiteti rezultoi krejt tjetër. Rruga është ende e përmbytur, me së paku 40 centimetra ujë, dhe para nesh shfaqen ende kryqëzime, kthesa dhe pikëpyetje pa përgjigje.

Europa, që për vite me radhë na është servirur si destinacion gjeopolitik, mbetet për fat të keq ende një ëndërr e largët. Në vend që të afrohemi, shpesh duket sikur po e zgjasim distancën.

Nuk mund të bëhemi Europë, e as europianë, sa kohë kemi në pushtet drejtues që vjedhin, tallen me popullin dhe fshehin përgjegjësinë. Nuk mund të kemi institucione të besueshme, sa kohë korrupsioni dhe klientelizmi mbeten mekanizma qeverisjeje. Dhe nuk mund të afrohemi me Europën, sa kohë Europa funksionon me standarde, dhe ne me arsyetime.

Autostrada drejt Europës ende nuk ka përfunduar. Ajo nuk pengohet nga gjeografia, por nga mentaliteti, nga sistemi, dhe mbi të gjitha nga mungesa e vullnetit për të paguar koston e vërtetë të reformës: koston e përgjegjësisë.

Vetëm kur kjo të ndodhë, ëndrra mund të kthehet në destinacion.