Besova në premtimet e Ramës, tani po më shembin shtëpinë dhe ëndrrat
“Investimi që shembet me fadromë”: Klodian Harusha, i riu nga Thethi që braktisi Italinë për të ndërtuar ëndrrën në vendlindje, përballet me shembjen dhe falimentimin
📍 Theth, 11 Korrik 2025
Nga Publik.al
Në vendin që qeveria shqiptare e reklamon si “Maldivet e Europës”, realiteti për vendasit është i ndryshëm. Klodian Harusha, 23 vjeç, ish-emigrant dhe futbollist në Itali, vendosi të kthehej në fshatin e lindjes, Theth, për të ndërtuar jetën dhe biznesin e tij. Por sot, ai përballet me shembjen e gjithçkaje që ngriti me djersë dhe shpresë.
Me vetëm 7 mijë euro të kursyera, Klodiani ndërtoi një lokal të vogël druri në pronën familjare ku shërbente kafe për turistët. Më pas, ngriti dhe një shtëpi modeste prej druri ku jetonte. Ai besoi në thirrjen e Kryeministrit Edi Rama për të rinjtë që të kthehen nga emigracioni dhe të investojnë në tokat e të parëve. Por thirrja rezultoi mashtruese.
“Kam qenë 6 vite emigrant në Itali si futbollist. U ktheva me idenë se ka të ardhme këtu, por më duket se nuk ka,” rrëfen Klodiani. “Kam NIPT, kam paguar taksa, por gjithsesi më vunë 58 mijë euro gjobë dhe më njoftuan se do të më shembin gjithçka.”
IKMT prej pesë ditësh ka ndërhyrë me fadroma në Theth për të shembur 80 objekte pa leje, mes tyre edhe ato të Harushës. Tani, 23-vjeçari është në borxhe që kapin shifrën 95 mijë euro, përfshirë gjobën dhe investimin që tashmë po shkatërrohet.
“Nuk kam marrë asnjë informacion nga bashkia për të famshmen ‘paketa e maleve’. Kur shkoj atje më nxjerrin jashtë dhe më thonë ‘shko kërko diku tjetër’. E bëra vetë një ndërtesë druri që çmontohet për 2 orë – dhe tani po më rrënojnë.”
Klodiani ka një thirrje të drejtpërdrejtë për Kryeministrin Rama:
“Zoti Kryeministër, zbatoni ato që thatë vetë! Ku është mbështetja për rikthimin e të rinjve? Ku është zhvillimi i zonave malore? Ne nuk kemi zaptuar asgjë – jemi në tokën tonë brez pas brezi, prej pesë shekujsh!”
Në vend të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe mbështetjes për turizmin vendas, Thethi sot përjeton rrënimin me fadromë të ëndrrave të të rinjve si Klodian Harusha.
Një tjetër shembull i Shqipërisë që përpiqet të eksportojë imazhin e një parajse turistike, ndërsa në vend, zhduk shpresën me kazmë dhe gjobë.






