VLORË – Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka zhvendosur përgjegjësinë institucionale për krizën e furnizimit me ujë të pijshëm te strukturat në varësi të Belinda Balluku, pas situatës së krijuar në qytetin bregdetar, ku prej pesë ditësh qytetarët vuajnë mungesën e ujit.

Në një prononcim për mediat, Mersini deklaroi se Ujësjellësi i Vlora prej dy vitesh nuk është më në varësi të bashkisë, por administrohet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellësve, një institucion që varet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Mendoj që nuk është momenti të ndajmë përgjegjësitë, por dua të sqaroj se bashkia nuk ka më varësi ndaj Ujësjellësit. Prej dy vitesh ai i ka kaluar në administrim Agjencisë Kombëtare të Ujësjellësve”, u shpreh Mersini.

Ajo theksoi se gjatë ditës së sotme testimi teknik ka rezultuar pozitiv në provën e fundit dhe se një pjesë e qytetit, konkretisht zona e Lungomares, ka nisur të furnizohet me ujë, por me presion minimal, për të shmangur rritjen e riskut deri në zgjidhjen përfundimtare të problematikës.

Po ashtu, kryebashkiakja bëri të ditur se prej tre ditësh në qytet operojnë mbi 15 botë uji për të përballuar emergjencën, duke sqaruar se prioritet u është dhënë institucioneve.

“Pompat do të nisin gradualisht të furnizojnë pjesë të veçanta të qytetit. Aktualisht në Vlorë operojnë mbi 15 botë uji. Protesta që është organizuar është nga opozita dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të opozitës dhe nuk është momenti të bëhet opozitë me një fatkeqësi natyrore”, deklaroi Mersini.

Sipas saj, analiza e plotë e situatës i takon ndërmarrjes së ujësjellësit, ndërsa pjesa teknike që mungonte për riparimin përfundimtar është siguruar dhe pritet të mbërrijë në aeroportin e Rinasit.