Nga redaksia e Publik.al
“Pagat janë rritur si kurrë më parë… madje më shpejt se çmimet.”
Kështu deklaron ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, me një vetëbesim që mund ta ketë vetëm dikush që nuk ka bërë kurrë pazar vetë.
Në Shqipërinë reale,jo atë që përmblidhet në grafiqet e qeverisë, paga minimale nuk të mban as javën, ndërsa inflacioni i ushqimeve dhe energjisë ka ngrënë çdo rritje nominale.
Kushdo që paguan qira, ushqim, shkollë apo karburant e di se të ardhurat rriten në letër, por varfëria rritet në shportë.
Të flasësh për “rritje rekord të pagave” në një vend ku paga mesatare mbetet më e ulëta në rajon, ndërkohë që çmimet janë tashmë europiane, është ose mosnjohje e realitetit, ose fyerje për qytetarët.
Në vend të propagandës së “dyfishimit”, ndoshta Ministria e Ekonomisë duhet të shpjegojë pse banka raportojnë më shumë kredi për konsum se për investim, pse rreth 40% e të rinjve duan të ikin, dhe pse bizneset po mbyllen më shpejt se po hapen.
Dhe nëse dikush “e ka ndier” këtë rritje, është ndoshta vetëm në raportet e qeverisë jo në portofolin e shqiptarëve.






