Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të martë rezolutën që shpall Iranin si shtet sponsor të terrorizmit, me 79 vota pro dhe 1 abstenim nga Redi Muçi.
Seanca u zhvillua pa praninë e opozitës, e cila kishte paralajmëruar bojkotin. Në sallë rezultuan të pranishëm 80 deputetë, të cilët votuan unanimisht në favor të miratimit të rezolutës.
Dokumenti dënon politikat e Iranit, duke u mbështetur edhe në ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme, si dhe në sulmet kibernetike të përsëritura ndaj institucioneve shqiptare, për të cilat është akuzuar ky shtet.
Rezoluta u propozua nga mazhoranca dhe u miratua me procedurë të përshpejtuar në një seancë plenare urgjente, pa një njoftim paraprak të rendit të ditës. Kjo mënyrë procedimi shkaktoi reagime të forta nga opozita, e cila e cilësoi seancën të jashtëligjshme dhe në shkelje të rregullores parlamentare.
Qëndrimi i PD-së
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se seanca ishte thirrur jashtë ditës së zakonshme të zhvillimit të saj dhe pa një rend dite të miratuar zyrtarisht.
Sipas tij, Parlamenti po devijon nga funksioni i tij kushtetues, duke u kthyer në një instrument në shërbim të qeverisë dhe jo në një institucion që garanton debat, transparencë dhe kontroll mbi ekzekutivin. Bardhi shtoi se mungesa e debatit dhe përjashtimi i opozitës rrezikojnë funksionimin normal të demokracisë parlamentare në vend.






