Mbrëmjen e së shtunës, që u shtri deri në orët e para të së dielës, nisi zyrtarisht edicioni i pestë i “Big Brother VIP Albania”, reality show më i ndjekur në vend, i cili edhe këtë vit theu rekorde audience.

Nën dritat e skenës dhe mes pritjes së madhe të publikut, u prezantuan një nga një banorët VIP, duke ngjallur kureshtje dhe interes të menjëhershëm tek shikuesit shqiptarë.

I pari që kaloi pragun e shtëpisë ishte Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri i West Side Family. Këngëtari, një nga figurat ikonë të grupit legjendar, vjen me një karrierë të gjatë në muzikën pop shqiptare, të mbushur me hite dhe performanca që i kanë siguruar një numër të madh fansash besnikë.

Pas tij, u prezantua Brikena Selmani, modele nga Kosova, e cila së fundmi ka përfaqësuar vendin e saj në “Miss Grand International 2025”. Ajo ndau edhe një detaj nga e kaluara e saj profesionale, duke treguar se përpara modelingut ka punuar për tre vite si arkëtare në një supermarket, ku është vlerësuar si më e mira në këtë profesion.

Pjesë e “Big Brother VIP 5” është edhe Kristi Lamaj, këngëtar i muzikës popullore, i cili hyri me vetëbesim të plotë, duke deklaruar se e di mirë kur hyn dhe kur do të dalë – me fitore. I rritur në Vlorë, ai ka ndjekur rrugën e muzikës që në moshë të vogël dhe është formuar profesionalisht në shkollën “Naim Frashëri”, me fokus në këndimin klasik.

Në shtëpinë më të famshme në Shqipëri hyn edhe Ilir Vrenozi, i njohur në rrjetet sociale si një nga figurat opozitare më aktive, veçanërisht në TikTok. Ai ndau një histori personale të rëndë, duke folur për humbjen e prindërve dhe përgjegjësitë familjare që mbart, ndërsa gjatë qëndrimit të tij në BBV, për motrën do të kujdeset bashkëshortja.

Banore e këtij edicioni është edhe Lore, këngëtare, tekstshkruese dhe kompozitore, e lindur në vitin 1996. Ajo u bë e njohur për publikun përmes “The Voice of Albania”, ku spikati për zërin e saj të veçantë nën drejtimin e trajnerit Elton Deda.

Seno Fishta, nga Shkodra, i vetëquajtur “delja e zezë” e familjes, i bashkohet gjithashtu kastit. Tifoz i zjarrtë i Vllaznisë, ai është edhe krijuesi i podcast-it sportiv “Na shkoi jeta rrefishat”, ku trajton tema të futbollit.

Në listën e banorëve është edhe Lorna Hysa, këngëtare, modele dhe influencere, e cila ka konkurruar në një spektakël talentesh në Gjermani. Prej tre vitesh jeton në SHBA dhe njihet për interesin e saj të veçantë ndaj astrologjisë.

Mal Retkoceri, djali i këngëtares së njohur Violeta Kukaj, vjen në BBV me një background të fortë muzikor. Ai u bë i njohur gjerësisht pas pjesëmarrjes në Festivalin e 62-të të Këngës në RTSH, ku konkuroi me këngën “Çmendur”, një projekt i realizuar tërësisht prej tij.

Aktorja dhe këngëtarja Xhodi Skura, e rritur në një familje artistësh, është gjithashtu pjesë e edicionit. Ajo ka studiuar në liceun artistik, ka marrë pjesë në “The Voice” dhe për disa vite ka qenë aktore në spektaklin “Al Pazar”.

Angelo Haruni, me formim në ekonomi, vendosi të largohet nga fusha e tij për të provuar eksperiencën e “Big Brother VIP”. Ai e përshkroi veten si një banor strategjik dhe provokues, i gatshëm të trazojë ujërat brenda shtëpisë.

Selin Bollati, balerinë, moderatore dhe influencere, e njohur si “Selin the Queen”, vjen nga një familje me rrënjë artistike dhe është e angazhuar aktualisht në “Albanian Night”.

Sipërmarrësi Armir Tola, administrator i një kompanie ndërtimi, hyn në BBV si një familjar i përkushtuar, i martuar dhe baba i një vajze, me të cilën ka një lidhje shumë të fortë.

Ernesti, i njohur për publikun me emrin e artit Stine, është një nga këngëtarët më të spikatur shqiptarë. Me një histori emigrimi në Gjermani dhe një pasion të hershëm për muzikën dhe kërcimin, ai ka ndërtuar një karrierë të suksesshme ndër vite.

Banorja e fundit që iu bashkua shtëpisë është Sabina Mete, gazetare sportive dhe prezantuese televizive. Ajo deklaroi se hyn në “Big Brother VIP 5” single dhe me qetësi, duke sjellë në shtëpi përvojën e saj nga raportimet sportive dhe transmetimet live.