“Ndjekja e korrupsionit në nivelet e larta, kusht për integrimin”
Vendimi i shumicës parlamentare për të mos lejuar heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku ka shkaktuar reagime edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Pas votimit në Kuvend, ku kërkesa e SPAK u rrëzua me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës, ka reaguar edhe Ambasada Gjermane në Tiranë.
Në një deklaratë zyrtare, përfaqësia diplomatike gjermane thekson rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes, duke e konsideruar atë një kusht të domosdoshëm për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sipas ambasadës, Gjermania mbështet aspiratën e Shqipërisë për integrim në BE, një objektiv që përputhet me vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, përparimi në këtë proces duhet të bazohet në parimin e meritës dhe në zbatimin e reformave thelbësore në drejtësi.
Diplomacia gjermane nënvizon se ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe rastet që lidhen me zyrtarë të nivelit të lartë, është një element kyç për të garantuar besueshmërinë e reformave dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Në deklaratë theksohet gjithashtu pritshmëria që proceset hetimore dhe gjyqësore të zhvillohen shpejt, pa pengesa politike apo institucionale.
Ambasada gjermane shton se politika shqiptare ka ende përgjegjësinë për të garantuar që drejtësia të funksionojë e pavarur dhe pa ndërhyrje, në mënyrë që proceset ndaj korrupsionit të avancojnë në mënyrë transparente dhe efikase.







