Në Europë japin dorëheqje për një sanduiç, në Shqipëri heshtet për 100 skandale
Redaksionale | 26 Nëntor, 2025
Ja pse Edi Rama nuk duhet të japë dorëheqje. Kurrë! Madje të shpallet “i përjetshëm”. A nuk na u bë faqja shollë kepuce? Nuk jemi aq budallenj si në Europë ku edhe politikanët janë prishur nga skrupujt, moraliteti dhe ndjeshmëria. Kaq anormalë janë sa politikanët ulen dhe ngrihen për një sanduiç, një biletë avioni, apo një kafe të shtrenjtë. Turp! S’e dinë ç’do të thotë të jesh burrë shteti si në Shqipëri.
Në Francë, ministri Cahuzac iku vetëm pse dyshohej se kishte fshehur pak të ardhura. Në Suedi, Maria Borelius dha dorëheqjen pse kishte bërë disa pagesa të dyshimta familjare. Në Britani ministër e deputet largohet për një sanduiç, një kafe, një qese plehrash. Në Bullgari ikin për një biletë avioni të shtrenjtë.
Pra, ç’janë këto hajvanë ?!
Në Shqipëri, ndërkohë, tradita është tjetër:
– Akuzohesh për aferën e trashë të inceneratorëve? I fiton zgjedhjet me thellë!
– Nëse raportet e ndërkombëtarëve flasin për pastrim parash? Asnjë problem, ky është “sukses qeverisës” dhe baza e integrimit në Europë.
– Shpërthen skandali i sterilizimit me qindra milionë euro? Aty rri, mos lëviz.
– PPP që kushtojnë 10-fishin e çmimit real? Po ky është vizion, jo arsye për dorëheqje!
– Fal copa Shqipërie turlilloj grupi kriminal, S’ka gjë se është dritë zhvillimi për grupkapitujt e integrimit.
– Shembet rruga 260 mln euroshe në Qafëplloçë? Faji i shtratit gjeologjik, sigurisht.
– Bulizëm, arrogancë, përplasje me këdo që flet ? Arti i drejtimit modern.
-E ke shumicën e administratës në prokurori dhe SPAK?
Po hetimi është pjesë e punës së tyre, ç’ka këtu për t’u habitur?
Pastaj vjen edhe rasti Balluku, i cili në çdo vend të Europës do të kishte sjellë jo vetëm dorëheqje, por ndoshta dhe shkrirje të një qeverie të tërë.
Por jo në Shqipëri! Ne jemi avangardë: këtu një ministër i pandehur rri në detyrë më gjatë se një ministër profesionist në një vend perëndimor.
Dhe më e bukura? Kryeministri ynë, kreu i qeverisë më “rezistente” në kontinent, doli para Komisioneres Evropiane Marta Kos dhe tha plot krenari se në BE nuk qenka e mundur që gjykata të pezullojë ministra vetëm për akuza. Ja ku e bëri edhe Brukselin të duket i paditur!
Ndërkohë në realitet, Europa ngrihet e bie për parimin e integritetit publik. Tek ne? Integriteti është koncept opsional, që zëvendësohet me fjalinë klasike: “Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj… nga zyra.”
Në fund të ditës, problemi nuk është Balluku, nuk është as Rama, as qeveria.
Problemi është Europa!
Këta europianë duket janë shumë të brishtë: dorëhiqen për gjëra qesharake dhe nuk dinë të administrojnë dot skandale serioze. Ndërsa ne? Kemi muskuj të fortë, shpinë të gjerë, fytyrë të trashë standarde ballkanike të çertifikuara nga 13 vite eksperiencë.
Prandaj le ta themi troç:
Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas Europës jo për mungesë ligji, por për mungesë turpi.
Mos u dorëhiq, o Rame?!. Kush tjetër do të ruajë traditat?
Në Europë ikin për një sanduiç, ndërsa në Shqipëri… as për 1000 skandale.






