Nga Sytki Spici
Në një vend ku prokurimi publik është kthyer në artin më të ndritshëm të epokës rilindase, Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka vendosur të ngrejë nivelin e estetikës.
Jo më tendera të trashë, me abuzime të dukshme dhe fatura që djegin si dielli i gushtit por “vjedhje me shije”, të rafinuar, dhe me prezantim PowerPoint.
Në njoftimin e tyre të fundit, OBP na fton në një “konsulencë profesionale në prokurimet publike”. Sipas posterit zyrtar, kurset përfshijnë:
- Asistencë në planifikim dhe përcaktim të fondit limit, ose ndryshe: si të rritet buxheti pa e kuptuar askush.
- Asistencë në përcaktimin e kritereve për kualifikim ,pra, si të hartosh kushtet që i plotëson vetëm miku i shtëpisë.
- Trajnim për praktikat më të mira të prokurimit të qëndrueshëm, qëndrueshëm, sepse tenderat e fituar nga të njëjtët nuk lëvizin kurrë nga vendi.
Pas gjithë këtyre, mungon vetëm një kurs final:
“Estetikë në korrupsion: Si të vjedhim me buzëqeshje dhe formular të rregullt.”
Ky do të ishte kulmi i formimit profesional në administratën publike.
Në rolin e pedagogeve, besohet të jenë ekspertet e përjetshme të sistemit të tenderave — ato që kanë diplomë në “arsim të lartë në justifikim procedural” dhe doktoraturë në “fshehje fondesh nën nenin e transparencës”.
Në fund, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë “të qendrueshme”, e vlefshme për çdo institucion që kërkon të blejë pa pyetur shumë.
Nëse fatura është e fryrë, mos u shqetësoni: e ka aprovuar OBP. Në fund të fundit, këtu çdo planifikim ka një plan rezervë.
Aty ku tenderat zbardhen më mirë se faturat.






