Ndarja mes moderatores Neda Balluku dhe bashkëshortit të saj, Ogren Balluku, vëllai i zv/kryeministres Belinda Balluku, po shoqërohet me një përplasje ligjore në Gjykatën e Tiranës, ku të dyja palët kanë paraqitur pretendime të ndërsjella për ushtrim dhune.

Sipas të dhënave zyrtare, më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi të lëshojë një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, pas ankesës së saj për dhunë të ushtruar nga bashkëshorti.

Pas këtij vendimi, disa ditë më vonë, në gjykatë u paraqit edhe Ogren Balluku, i cili kërkoi po ashtu pajisjen me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. Në kërkesën e depozituar, ai pretendon se ka qenë subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale dhe psikologjike nga ana e bashkëshortes, duke shtuar se, sipas tij, në raste të caktuara dhuna ka marrë edhe karakter fizik.

Gjatë dëshmisë së dhënë para Gjykatës së Tiranës, Ogren Balluku ka deklaruar se është fyer dhe kërcënuar vazhdimisht me shprehje të rënda. Ai ka pohuar se është ndier i përndjekur dhe se situata e krijuar ka ndikuar drejtpërdrejt edhe te fëmijët e tij, të cilët, sipas deklarimeve të tij, janë përballur me presion dhe dhunë psikologjike edhe në ambientet shkollore.

Në pjesë nga dëshmia e tij, Ogren Balluku shprehet se ka pasur shqetësime të vazhdueshme nga bashkëshortja dhe se kërkesa për urdhër mbrojtjeje është bërë edhe për sigurinë e djalit të tij. Ai pretendon se është ofenduar me fjalor denigrues dhe se ka marrë kërcënime serioze verbale, ndërsa ka ngritur edhe dyshime për përgjim të ambientit familjar. Sipas tij, më 16 janar 2026, dy djemtë janë përballur me dhunë psikologjike në ambientet e shkollës “Viktor Hygo”.

Pas shqyrtimit të kërkesës dhe materialeve të paraqitura, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e saj, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në favor të Ogren Ballukut.

Nga ana tjetër, Neda Balluku ka deklaruar se ish-bashkëshorti e pengon në mënyrë të paligjshme në takimin me fëmijët, e nxjerr nga banesa dhe e ofendon në prani të tyre. Ajo pretendon se këto veprime synojnë t’i manipulojnë fëmijët kundër saj.

Çështja mbetet ende në proces trajtimi nga organet e drejtësisë, ndërsa pritet vijimi i procedurave ligjore për zbardhjen e plotë të pretendimeve të ndërsjella mes palëve.