Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 83,906 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Por pas indeksimit me inflacionin, paga reale zbriti në vetëm 70,288 lekë, duke rezultuar 16.3% më e ulët se shifra nominale.

Në terma praktikë, kjo do të thotë se me rreth 84 mijë lekë sot një shqiptar blen po aq sa blinte me vetëm 70.3 mijë lekë në vitin 2020. Pra, megjithëse pagat “në letër” janë rritur, fuqia reale blerëse ka mbetur prapa.

Pesë vite rritje, por inflacioni ha fitimet

Ecuria e pagave nga viti 2020 deri në mesin e 2025-ës tregon një rritje të fortë nominale—mbi 50% krahasuar me bazën e vitit 2020—por vetëm 27% rritje reale pas korrigjimit me inflacionin.

  • 2021 – Pagat nominale arritën mbi 59 mijë lekë, ndërsa pagat reale mbetën rreth 57,800 lekë. Inflacioni i ulët i asaj kohe lejoi që rritja të përkthehej në më shumë fuqi blerëse.
  • 2022 – Pavarësisht se paga nominale shkoi në 66 mijë lekë, paga reale u ngjit vetëm në 59,383 lekë. Inflacioni i lartë neutralizoi pothuajse të gjithë përfitimin.
  • 2023 – Rritja e pagave arriti të tejkalojë inflacionin: paga reale u ngjit në 64,957 lekë, ndërsa ajo nominale në 75 mijë.
  • 2024 – Paga reale për herë të parë kaloi pragun e 70 mijë lekëve, ndërsa paga nominale kapërceu 83 mijë.

Në tremujorin e dytë të 2025-s, paga reale përbënte vetëm 84% të pagës mesatare bruto, krahasuar me 90% në vitin 2022.

Rritje në letër, pak lehtësim në xhep

Politikat për rritjen e pagës minimale dhe rritjet në sektorin publik e privat kanë sjellë një rritje të shpejtë të të ardhurave zyrtare, por inflacioni, sidomos te ushqimet dhe qiratë, ka zbehur ndjeshëm efektin në jetën e përditshme.

Ekspertët paralajmërojnë se pa një kontroll më të fortë të çmimeve dhe rritje produktiviteti, diferenca mes pagës “në letër” dhe fuqisë reale blerëse do të thellohet edhe më shumë.

Paga reale mbetet treguesi më i qartë se shqiptarët paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë për të njëjtën jetesë, pavarësisht rritjes së pagave në statistika.