AGRON GJEKMARKAJ

Një pluhnajë e pander shme propagande nga ato më të pështirat, që nuk kursejnë askënd dhe asgjë për një grusht votash, u ngrit kundër Lulzim Bashës dhe deklaratës së tij mbi përfaqësimin e komunitetit katolik në Parlamentin e Shqipërisë nga persona me rekorde kriminale, falë përzgjedhjes së Edi Ramës. Nëse ka një person që i ka fyer katolikët në Shqipëri, ai është Kryeministri aktual me përfaqësuesit që ju ka caktuar.

E ka bërë këtë me vetëdije i bindur që ju ka gjetur fesin sipas kokës, duke injoruar shekuj histori. I ka fyer në kujtesë. I ka fyer në intelekt. I ka fyer në njerëzillëk. Thjesht ka menduar që i shtron me çomanget e frikës dhe hakërrimet e dhunës. Ka pasur sukses relativ. Atë sukses që përfitohet kur i urti i hap rrugë të marrit, kur njeriu i zakonshëm i largohet mujsharit, duke psherëtirë “e gjettë nga Zoti”.

Edhe otomanët që ishin pushtues u shfaqen me sojlinj, pasi njihnin për të parë Gjomarkajt, Preng Bibë Dodën, familje fisnike brez pas brezi. Personalisht jam kundër çdo definicioni që i klasifikon shqiptarët me ngjyrime fetare, qoftë kur përcaktimi vjen edhe nga Lulzim Basha. Ne jemi substancialisht një shtet laik, besim i lirë në një shtet të lirë, kjo ishte formula që adoptuan etërit themelues në vitin 1912. Qytetarët, personat, personalitetet teorikisht duhet të gjykohen nga aftësia, profesioni, ndershmëria, intelektualiteti, raporti me vendin dhe jo si e ku i falen Zotit.

Meqenëse u hap kjo temë me stilin gëbelsian të propagandës për të goditur padrejtë­ sisht Lulzim Bashën duhen thënë disa të vërteta. Feja është një realitet, me të cilin edhe politika po i bën llogaritë në mënyrë abuzive, shpeshherë duke bërë dëm të madh. Bibla dhe Kurani po shfaqen gjithnjë e më tepër në fushata elektorale.

Një tendencë e frikshme, që duhet sprapsur me vetëdije të përbashkët. Katolikët shqiptarë, të cilët i qëndruan Vuci Pashës e Turgut Pashës, sado që kohët po kthehen përmbys duke u ulur “malet” dhe ngritur “bokërrinat”, do t’i qëndrojnë edhe urdisë së Edi Ramës. Dikur ata përfaqësoheshin në politikë nga Fishta, Gurakuqi, Mjeda, Marlaskaj, Hilë Mosi, Mirash Ivanaj, Kolë Thaci, Ernest Koliqi. Tanimë jetojnë me psherëtima për lavdinë e së shkuarës. Komuniteti sado i përkorë në mburrjë e ka vetëdijen e primatit në kulturën e këtij vendi, duke filluar që me Pal Engjëllin dhe “Formulën e Pagëzimit”, të parën shprehje të dokumentuar të gjuhës shqipe, për të vazhduar me Barletin, Beçikemin, Buzukun, Bogdanin, Budin, Bardhin, Kazazin, për të mbërritur te Pashko Vasa, Fishta, Doçi, Gjeçovi, Harapi, Camaj, Luk Kacaj, Lin Delia e dhjetëra të tjerë historianë, shkrimtarë, artistë, arbërorë, shqiptarë e europianë njëkohshëm deri te bashkëkohësi At Zef Pllumi, ideologu i lirisë kundër tiranisë.

Sot treva e tyre trajtohet si një bashkësi e hurit dhe e litarit, pikërisht nga burri që me vikamë shpalli “Rilindjen”. Ai mendoi që me hu në dorë darovitet dhe i merret vota. Lulzim Basha veç e pohoi këtë fakt, duke dëshmuar dhunimin dhe plagën, fyerjen dhe lëngatën.

Ky është faji i tij në këtë mes? Përkundrazi, ai theksoi se ky komunitet është bastion i së djathtës dhe i PD­së, çka rezulton i vërtetë nga pikëpamja elektorale. Në vitin 1997 opozita e asaj kohe mbështetjen më të madhe e pat nga katolikët. Ku është fyerja dhe diskriminimi i Bashës ndaj katolikëve që po trumbetohet me përçartje e përçarje? Ku? Në raport me partitë politike shqiptare ekziston mendimi se katolikët shqiptarë nuk janë përfaqësuar sa e si duhet. Shpesh ata janë përdorur veç si dekor. Nuk marr përsipër të them se është plotësisht e vërtetë ajo që diku kam lexuar se vetëm 0.8% janë katolikë në poste të larta të shtetit shqiptar që kanë detyrimin të deklarojnë pasurinë pranë ILKPD.

Ambasadorët që vinin nga kjo trevë sikur janë shuar. Ministri Bushati, në inteligjencën e të cilit nuk dyshoj, duhet ta dijë tashmë se Europa “nuk ka ndonjë alergji të madhe” për emrat e krishterë ndër sallone diplomatike. Më saktë, ekziston e fortë ideja se ata nuk janë përfaqësuar nëpërmjet elitave të tyre, me ndonjë përjashtim siç ishte Pjetër Arbnori dhe Jozefina Topalli, as në spektrin e djathtë e as në atë të majtë. Shpesh janë kapur për veshi manekinë, të cilët, veç emrit që iu kanë vënë prindërit, nuk i lidh asgjë me këtë traditë pa modesti, më e lavdishmja e kombit shqiptar në raport me gjuhën, kulturën, identitetin qëndresën, shtetformimin dhe vokacionin europian të shqiptarëve.

Katolikët shqiptarë kanë qenë gjithmonë një avampost herë i vetëdijshëm e herë i çoroditur i Europës në Perandorinë Otomane, por ama kanë qenë gjithmonë. Në vitin 1932 kur Mbreti Zog më largpamësi i politikanëve shqiptarë në çështje të fesë mbylli gjimnazin “Ilirikum”, françeskanët i shkruanin: “Ne jemi këtu tash dy mijë vjet, shqiptarë dje e shqiptarë sot, katolikë dje e katolikë sot” Basha, për të cilin nuk di të them se çfarë besimi ka, në është ateist, mysliman, katolik, protestant a s’e di çfarë, se besimi është edhe zgjedhje, për këtë traditë, në dhjetëra raste, veç ka shprehur nderim dhe admirim.

Por, meqenëse u hap pa dashjen e tij kjo temë jo fort e dobishme për nga qasja që po merr, i duhet bërë zotit Basha një pyetje: Sa të përfaqësuar cilësisht janë sot katolikët në partinë e tij? Unë për Sali Berishën, i cili ka qenë tepër i kujdesshëm në raporte kësodore, kam respekt e s’më dridhet qerpiku për ta pohuar, por kurrë nuk e kuptova, pavarësisht parehatisë që ka ndier me Mark Markun, deputet që nuk sillej sipas logjikës se kornizuar partiake, një intelektual brilant i formuar si i tillë në shkollat më të mira të Perëndimit, kritik dhe i ndershëm, të spostohej me lehtësinë e melankolisë personale.

Do të kishte qenë luks i madh një zë si ai në Grupin Parlamentar të opozitës, ku shumë nga “besnikët” kanë rënë squk nën gëzimin dhe frikën e skropit që kanë vënë mënjanë si ministra, apo hyzmeqarë qarqesh, ndoca edhe nga kultura e mangët. Nuk mjafton që ata (katolikët) të jenë aty si numër në PD apo në PS, por të kenë sintoni me komunitetin, sidomos kur shfaqet tendenca për t’i trajtuar si minoritet këta shqiptarë mes shqiptarësh.

Nëse përzgjedhja e tyre bëhet edhe për spikamën fetare, atëherë le të zgjedhin tamam, t’i qyrin letrat dhe jo me taraf, për sa kohë ata i besojnë fabulës së partive ideologjike e jo me karakter fetar. Po ashtu, pas 105 vitesh shtet, meqenëse shumëkujt po i këndet diskursi fetar…, paç­ ka se personalisht e gjykoj të dëmshëm, kishte ardhur koha që simbolikisht një katolik apo katolike të zgjidhej në krye të shtetit. Si nuk e pat kush këtë delikatesë, këtë shqetësim, në mos tjetër këtë bixarri? Si nuk doli dikush një herë rastësisht ta bëjë këtë pyetje?

A flasim gjithë ditën e lume për harmoni, barazi e vëllazëri… hë pra… ku do të cenohej ajo, nëse kjo do të ndodhte? Pse politikanë nga “pjesa tjetër” nuk e menduan këtë si akt me domethënie që dëlir çdo paragjykim? Ku do të ishte herezia? Lulzim Basha tha një të vërtetë, e cila nuk fyen, por e vërteta prodhon liri, e cila edhe atij vetë duhet t’i shërbejë për një reflektim ndërtues në të mirë të jetës sonë të përbashkët dhe Shqipërisë Europiane.

Personalisht e falënderoj me shpresën se ligji i dekriminalizimit një fitore e tij politike të çlirojë gjithë shqiptarët nga keqbërësit e jo vetëm katolikët, të cilët nuk bëjnë përjashtim në vese e virtyte nga pjesa tjetër. Rama ka bërë aleancë me veset e tyre. Basha është në provë. Urojmë të zgjedhë virtytet. Ndjesë për ata që më lexojnë që u përfshiva në një temë të padëshiruar, por trillimet gëbelsiane ta shpifin.