
Gazetari Klodian Tomorri ka ironizuar podkastin e kryeministrit
Në episodin më të fundit të podcastit të kryeministrit, në qendër të skenës ishin dy motra që zotërojnë dy dyqane lulesh. Një biznes i ndershëm, i pastër dhe i admirueshëm, ku sipërmarrja reale vjen nga puna dhe jo nga tenderat. Por mënyra sesi u zhvillua biseda, vetëm sa e vuri në dukje edhe një herë kontrastin dramatik mes Shqipërisë së retorikës së pushtetit dhe Shqipërisë së realitetit ekonomik.
Kryeministri pyeste me një ton entuziast: “Po buqetat si i beni? Se janë art më vete ato…”
Vajza, krejt natyrshëm, i përgjigjej se herë ndiqnin modele në internet, herë improvizonin vetë.
Pastaj vijoi një pyetje tjetër: “Po sa lloje lulesh keni?”
“Shumë, por kryesisht merremi me trëndafilat”, tha ajo.
Një episod që të rikujtonte humorin klasik të Koço Devoles me Mehdi Malkajn:
“Po qumësht keni ju, Xha Braho?”
“Kemi ore si s’kemi. Sot fshatari i ka të gjitha. Dhe qumështin, edhe qepën.”
Në këtë rast, vajzat e luleve nuk kanë asnjë faj. Përkundrazi, meritojnë respekt të plotë punojnë ndershëm, punësojnë njerëz, mbajnë biznes me djersë, paguajnë taksa, krijojnë vlerë reale në ekonomi. Problemi është diku tjetër: tek panorama që pushteti po përpiqet të shesë si “model ekonomik”.
Sepse, siç shkruan gazetari Klodian Tomorri, nuk ka pasqyrë më të mirë të ekonomisë së Shqipërisë sesa lista e të ftuarve të kryeministrit në podcastet e tij.
Nëse i rreshton sipas “profesioneve”, tabloja del kështu:
1. Grabitësit me kostum uzurpatorët e tokave
Janë ata që marrin tokat e fshatarëvepër resorte, panele diellore apo projekte fasadash duke i kthyer skemat e zhvillimit në zhvatje të ligjshme. Sipërmarrja e tyre është thjesht një kalim pronash nga duart e qytetarëve në xhepat e të fortëve.
2. “Saldatorët” që prodhojnë makina fantazmë
Këta janë bizneset që promovohen si “industria e re shqiptare”, prodhues makinash e teknologjie, por në realitet funksionojnë si thithëse parash publike — xhepa ekstrabuxhetorë për të shkrirë fondet e shtetit.
3. Kioskat simbolika më e saktë e ekonomisë reale
Në mungesë të prodhimit, inovacionit, zinxhirëve të mëdhenj industrialë, ekonomia shqiptare bie shpesh në nivelin e mikro-bizneseve të lagjes. Të ndershme, por të vogla, dhe që në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë vizion zhvillimi kombëtar.
4. Një shqiptar inovator jashtë vendit… herë pas here
Në ndonjë episod shfaqet një i ri shqiptar që ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në teknologji. Por të gjithë këta jetojnë jashtë Shqipërisë. Sepse siç vëren Tomorri, në IT këtu kanë mbetur vetëm “plaçkitësit” që ushqehen me tenderat e AKSHI-t — një treg i mbyllur për meritokracinë dhe i hapur për klientelizmin.
Dhe kështu, episodi me dy vajzat që shesin lule, për më shumë sesa lule, dha një mesazh të qartë: Shqipëria nuk ka problem me sipërmarrjen e vogël — ajo lulëzon. Problemi është ekonomia e madhe që po thahet.
Deri në episodin e radhës të podcastit, kur ndoshta do të vijë radha e ndonjë kioske tjetër që shet cigare në lagje… sepse ndoshta vetëm aty pushteti arrin të gjejë ende një ekonomi që funksionon pa tenderë, pa koncesione dhe pa oligarki.





