
Por hap hetim ndaj tij!
“Të liruam, por do të hetojmë pse kundërshtove provat”
Pas disa ditësh tension dhe reagimesh nga komuniteti i avokatëve, Prokuroria e Elbasanit ka dalë me një deklaratë zyrtare për ndalimin e avokatit Uljan Bajrami, një ngjarje që ka ndezur debat mbi lirinë profesionale dhe barazinë para ligjit.
Në deklaratë, prokuroria pranon se ndalimi ishte i paligjshëm dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të avokatit. Ky veprim, në pamje të parë, mund të interpretohej si një korrigjim institucional dhe reflektim i vonuar, por i drejtë.
Por menjëherë më pas, e njëjta prokurori njofton se ka regjistruar një procedim penal ndaj avokatit për veprat penale “Kanosje për shkak të detyrës”, “Kanosje e gjyqtarit” dhe “Kundërshtim apo goditje të gjyqtarit”.
Një kontradiktë flagrante ligjore e morale që ngre pyetjen: si mund të quhet “barazi para ligjit”, kur një avokat ndalohet e më pas procedohet penalisht vetëm pse kundërshton provat apo mbron klientin?
Nga mbrojtja e klientit, në bankën e të akuzuarve
Nëse çdo debat procedural apo çdo ton kritik në sallën e gjyqit interpretohet si “kanosje” apo “kundërshtim i gjyqtarit”, atëherë drejtësia humb kuptimin e saj.
Një sistem ku fjala e avokatit ndëshkohet, nuk është më drejtësi – është gjykim i frikësuar, i kontrolluar nga pushteti i prokurorit.
Deklarata e Prokurorisë për “bashkëpunim institucional dhe respekt reciprok” mbetet një fasadë komunikimi, e cila nuk mbulon realitetin e hidhur: ndalimin arbitrar dhe procedimin penal të një përfaqësuesi të ligjit.
Barazia që mungon
Nuk mund të ketë drejtësi të barabartë kur njëra palë prokuroria gëzon pushtetin për të ndaluar e akuzuar, ndërsa pala tjetër, avokatia duhet të mbrohet nga abuzimet e këtij pushteti.
Avokati nuk është kundërshtar personal i prokurorit, por garancia që procesi gjyqësor të jetë i ndershëm dhe transparent. Nëse prokuroria e sheh avokatin si kërcënim, atëherë bie ekuilibri i drejtësisë.
Dy shtylla që mbajnë drejtësinë
Avokatët dhe prokurorët janë dy shtylla të një sistemi të vetëm njëra pa tjetrën bie, dhe bashkë me to bie edhe besimi i qytetarit tek drejtësia.
Nëse një avokat mund të ndalohet, bullizohet apo procedohet vetëm pse flet, atëherë çdo qytetar kupton se askush nuk është më i mbrojtur.






