Prokuroria e Vlorës ka zhvilluar një kontroll në Bashkinë e Vlorës, ku janë sekuestruar një sërë dosjesh që lidhen me administrimin dhe ndarjen e plazheve në qytetin bregdetar.
Sipas informacioneve paraprake, dy oficerë të Policisë Gjyqësore janë paraqitur në ambientet e bashkisë me urdhër sekuestrimi për dokumente që ndodhen në Zyrën e Aseteve. Dosjet e kërkuara i përkasin periudhës 2023–2025 dhe lidhen me kontratat dhe procedurat për parcelizimin e hapësirave të plazhit.
Burime bëjnë me dije se verifikimet kanë në fokus mënyrën e ndarjes së plazheve dhe kontratat e lidhura gjatë këtyre viteve. Oficerët e OPGJ-së kanë qëndruar në Bashkinë e Vlorës për disa orë, nga rreth ora 13:00 deri në mbrëmje vonë, duke administruar dokumentacionin përkatës.
Në përfundim të veprimeve, Prokuroria ka sekuestruar dosjet dhe kontratat që lidhen me shfrytëzimin e plazheve, të cilat pritet të analizohen në kuadër të hetimeve në vijim.






