31,000 biznese në afat, penalizime për 10% të subjekteve
Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka njoftuar një nga performancat më të larta të viteve të fundit për dorëzimin e bilanceve financiare. Deri më 31 korrik 2025, që është edhe afati ligjor për këtë proces, 31,000 subjekte kishin përmbushur detyrimin e tyre ligjor, çka përbën mbi 90% të bizneseve aktive, një shifër që tejkalon ndjeshëm vitet e mëparshme.
Për krahasim, në vitin 2024 u dorëzuan në kohë 28,200 bilance, në vitin 2023 26,000, ndërsa në vitin 2022 vetëm 20,700. Kjo rritje progresive po interpretohet nga QKB si dëshmi e ndërgjegjësimit të shtuar të bizneseve, por edhe e zhvillimit të platformave digjitale, si e-Albania, përmes së cilës realizohet procesi i dorëzimit të bilanceve.
Megjithatë, pas këtij suksesi numerik fshihen edhe problematika serioze. Eksperienca e këtij viti ka nxjerrë në pah pengesa të mëdha teknike, të cilat rrezikuan të kompromentonin mbarëvajtjen e procesit. Platforma digjitale shpesh rezultoi e bllokuar ose me vonesa, duke krijuar presion të madh mbi profesionistët e fushës dhe mbi vetë bizneset.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), një ndër zërat kryesorë të reagimit, kritikoi publikisht situatën duke kërkuar masa urgjente për përmirësimin e infrastrukturës digjitale. Sipas APL, shumë kontabilistë u përballën me stres, orare të stërgjatura pune dhe pamundësi objektive për të dorëzuar bilancet në kohë.
Kjo ka sjellë një tjetër problem: afërsisht 10% e subjekteve që nuk arritën të dorëzojnë bilancin në afat, do të gjobiten me nga 60,000 lekë. Ky penalizim është cilësuar i padrejtë në kushtet kur vetë sistemi shtetëror nuk funksionoi siç duhet dhe i ka lënë bizneset të pambrojtura ndaj një përgjegjësie që nuk ishte plotësisht në kontrollin e tyre.
Në këtë situatë, kërkohet një rishikim i qasjes së institucioneve për të garantuar jo vetëm respektimin e ligjit, por edhe ofrimin e kushteve të drejta teknike dhe funksionale për zbatimin e tij.






