Naim Noka

Budallallëku dhe injoranca politike, pasi bënë xhiron e plotë nëpër Europë, u lodhën. Dhe si çdo shëtitës i rraskapitur, gjetën vend të shtronin dyshekun cep më cep pikërisht këtu, në këtë republikë tonën, ku përgjegjësia e të mandatuarve për të qeverisur është gjithmonë e huaj dhe faji ose është jetim, ose i ngelet dikujt tjetër.

Këto ditë përmbytjesh, mania për të shmangur përgjegjësitë ka prodhuar një spektakël grotesk: përfaqësues të Partisë Socialiste që postojnë foto me plehra nëpër përroje, lumenj dhe kanale, për të na shpjeguar me gisht tregues se “ja pse u përmbytët”.

Pra, sipas kësaj logjike brilante, problemi nuk është qeverisja, por qytetari që hodhi qesen dhe shishet plastike. Madje jemi bërë kaq të famshëm për mbetjet plastike, sa gjurmët e tyre kanë mbërritur deri në brigjet kroate.

Mirë. Ta zëmë se plehrat shkaktojnë përmbytje. Po kush e ka për detyrë menaxhimin e mbetjeve? Kush merr taksa për këtë punë? Kush firmos kontrata, tenderë, strategji dhe plane kombëtare për mjedisin? Ku janë inceneratorët që do digjnin mbetjet? Apo këto janë përgjegjësi që i merr uji bashkë me baltën?

Halli i madh mbyt hallin e vogël. Dhe kur halli i madh quhet pushtet, gjithçka tjetër mbytet pa zhurmë.

Ironia është se gjatë verës, kur denoncuesit e ndotjes flasin për plehra, lumenj të vdekur dhe bregdet të shkatërruar, i njëjti pushtet na qorton:

“Po mjaft, se e nxite fare këtë vend. Ka ndotje, po jo kaq sa e bëni ju!”

Ndërsa tani, plehrat janë armë politike. Kur duhen për propagandë, nxirren nga uji. Kur duhen për përgjegjësi, fshihen nën qilim.

Por qershia mbi tortë ishte një deputet i PS-së në Vlorë, i cili, mes baltës dhe rrëshqitjeve, gjeti fajtorin suprem: Partinë Demokratike… para 15 vjetësh.

Rruga u bllokua sot, por fajin e ka kush e ka shtruar dje.

Dhe me një zemërgjerësi të rrallë, deputeti i marketeve BIG na njoftoi se megjithatë ata po e pastrojnë dheun që ka rrëshqitur. Se, sipas logjikës së tij, edhe mund të mos e pastronin, por ja që janë zemërmirë.

Në kohë të mirë, askujt nuk i shkon ndër mend të pyesë kush e ka shtruar rrugën. Në kohë të keqe, kjo bëhet argument politik, justifikim moral dhe shpëtim personal.

Rruga është e PD-së, balta është e qytetarit, uji është i Zotit, ndërsa pushteti… gjithmonë i pafajshëm.

E gjithë kjo farsë justifikimesh vjen në një moment kur ish-zëvendëskryeministri i kësaj qeverie, Arben Ahmetaj, ka artikuluar publikisht akuza të rënda për korrupsion, skema financiare dhe vendimmarrje kriminale në nivelet më të larta të pushtetit. Akuza që nuk janë mohuar me fakte, por janë mbuluar me zhurmë, baltë dhe debate televizive.

Ndërkohë, në horizont shfaqet edhe dorëzimi i një tjetër zëvendëskryeministreje, Belinda Balluku, në dyert e drejtësisë, në cilësinë e të pandehurës. Dhe pikërisht në këtë moment, pushteti gjen gjithmonë një fije kashte ku të kapet: një qese plastike, një rrugë të vjetër, një fajtor të munguar, një debat banal televiziv.

Dhe këtu vjen përmbyllja e madhe, ajo që i përmbledh të gjitha: padishahu i deputetit Sina po bën replikë të fortë me Fevziun e Klanit të Sandrit. Sikur të mos kishte me kë t’i bënte të fala Sandrit.

Hahahahahahaha.

Sepse në këtë vend, edhe fatkeqësitë natyrore shërbejnë për kënaqësi politike. Përgjegjësia jo.

I mbyturi, të mbyt. Jo vetëm me paaftësi por edhe me llogje Kavaje në kohë përmbytjesh, duke u bërë të neveritshëm dhe qesharakët e ‘Republikës së Justifikimeve’!