Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me debatin politik për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se pavarësia e institucioneve të drejtësisë mbetet kyçe për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në një përgjigje për mediat, përfaqësia diplomatike amerikane vuri në dukje se funksionimi i pavarur i drejtësisë në Shqipëri është element thelbësor për vijimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit.

“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Megjithatë, Ambasada e SHBA ka shmangur qëndrimet konkrete mbi procedurat që lidhen me çështjen e zëvendëskryeministres, duke theksuar se nuk komenton raste specifike që janë në proces shqyrtimi nga drejtësia.

Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut është depozituar në Kuvend që prej 16 dhjetorit 2025, por deri më tani nuk është marrë në shqyrtim nga Parlamenti. Kryeministri Edi Rama është shprehur se Kuvendi nuk ka asnjë urgjencë për trajtimin e kësaj kërkese, deklaratë që ka nxitur reagime politike dhe institucionale.

Një qëndrim mbi këtë çështje ka ardhur edhe nga institucionet europiane. Zyrtarë të Bashkimit Europian kanë theksuar se trajtimi në kohë i kërkesave për heqjen e imunitetit është përgjegjësi e Parlamentit shqiptar dhe një element i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë mbështetur vazhdimisht reformën në drejtësi në Shqipëri dhe ngritjen e institucioneve të reja si SPAK, GJKKO dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, duke e konsideruar forcimin e shtetit ligjor dhe ndëshkimin e korrupsionit si faktorë vendimtarë për integrimin europian të vendit.