Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Aida Sakiqi, është shpallur e pandehur dhe po hetohet për tre vepra penale: shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh zyrtare dhe përvetësim titulli apo detyre shtetërore.
Hetimi ka nisur pas denoncimeve të qytetarëve shqiptarë në Gjermani, zyrtarëve gjermanë dhe punonjësve të ambasadës. Sipas burimeve, bëhet fjalë për dhjetëra dokumente të klasifikuara dhe për abuzime me fondet, tenderët dhe emërimet në përfaqësi.
Prokurorët kanë konstatuar edhe shkelje të rregullave të sigurisë kombëtare në punësimin e stafit, përfshirë persona me shtetësi ruse. Për largimin e një shtetasi rus është dashur ndërhyrja e SHISH dhe e shërbimit sekret gjerman.
Deri tani nuk ka reagim zyrtar nga Ministria e Jashtme apo Kryeministria, ndërsa në mars pritet kërkesa për masë sigurie dhe pezullim nga detyra.






