Media franceze jep alarmin: Shqipëria është kthyer në “Lazarat” me prodhimin e drogës
“Lazarati” tashmë është shpërndarë në të gjithë vendin, dhe për këtë arsye vendi është jashtë kontrollit.
“Në një vend, ku 45.5% e popullsisë jeton me më pak se 5 € në ditë dhe ku emigracioni mbetet e vetmja shpresë për shumë të rinj, disa zgjedhin ti kthehen këtij biznesi më fitimprurës se pagat e ulëta të ofruara”,- thuhet në reportazhin e medias franceze për shqipërinë.

Në një artikull të publikuar këtë të enjte, media franceze “Reporterre.net” ka publikuar reportazhin me titull: “Europa ka një prodhues të madh të kanabisit: Shqipëria”.
Kultivimi i kanabisit përbën pothuajse gjysmën e PBB-së shqiptare, ku kjo lloj droge është bërë një mjet mbijetesë për shumë banorë dhe njëkohësisht burim korrupsioni, shkruan media franceze.
“Reporterre” prek edhe aksionin në Lazarat në vitin 2014, për të cilin shkruan mes të tjerash se nuk u arrestua “asnjë peshk i madh”.
Fabian Zhilla, specialist i krimit të organizuar, thotë se: “Prodhimi, dikur i përqendruar në Lazarat, tani është i shpërndarë në të gjithë vendin dhe prandaj është krejtësisht i pakontrollueshëm”.
“Vështirë të imagjinohet se politikanët nuk janë të përfshirë”, vijon raportimi duke sjellë në vëmendje rastin e Klemend Balilit të etiketuar nga mediat si Eskobar i Ballkanit dhe Dritan Zaganit, që ka marrë azil politik në Zvicër pas denoncimeve të përfshirjes së zyrtarëve të policisë në trafikun e drogës.
Balili ka përfituar nga lidhjet e familjes së tij me personalitete të caktuara politike, shkruhet në artikullin e “Reporterre”.
“Duke qenë se policia është një institucion shumë hierarkik, është e vështirë të imagjinohet se stafi politik nuk është i përfshirë”, thotë Hila.
Artikulli prek edhe raportin e fundit të Komisioni i Zgjerimit të BE-së që “vëren se policia dhe prokurorët nuk janë në gjendje të identifikojnë rrjetet kriminale përgjegjëse për kultivimin e drogës”.
“Këto lidhje mes grupeve kriminale dhe autoriteteve politike si dhe shumat kolosale të krijuara nga trafiku janë shqetësuese. Pak javë përpara zgjedhjeve kombëtare në qershor, partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë, kërcënoi të mos merrte pjesë në to dhe të bojkotonte punën parlamentare për gati dy muaj. Duke denoncuar ‘korrupsionin e një qeverie që e ka transformuar Shqipërinë në Kolumbi të Evropës’, kërkon ‘formimin e një qeverie teknike për të garantuar transparencën e zgjedhjeve’, shkruan “Reporterre”







