SPAK ka ngritur alarmin për përfshirjen e bankave të nivelit të dytë në skema të sofistikuara pastrimi parash. Në raportin e vitit 2024, kreu i institucionit, Altin Dumani, theksoi se struktura kriminale ndërkombëtare  përfshirë mafian italiane kanë shfrytëzuar bizneset dhe bankat shqiptare për të futur në qarkullim miliarda të ardhura kriminale.

Një nga rastet më domethënëse lidhet me resortin “Ajman Park”, sekuestruar pas operacionit ku u kapën 17 tonë kokainë. Në prill 2023, Raiffeisen Bank kishte marrë në garanci të gjitha aksionet e biznesmenit Fadil (Julian) Balla, si pjesë e një kredie, vetëm pak muaj përpara se SPAK të hapte hetimet ndaj grupit të tij kriminal.

Balla, ish-president i klubit të futbollit “Erzeni” dhe investitor në turizëm, është shpallur tashmë në kërkim ndërkombëtar. Resorti që nga 14 gushti ndodhet nën administrim shtetëror, ndërsa burime nga SPAK konfirmojnë se po verifikohet edhe roli i bankës në këtë skemë financiare, për të përcaktuar nëse është përfshirë drejtpërdrejt apo indirekt në pastrimin e parave.

Resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Shijakut në pronësi të Fadil Ballës, tani pronë e Raiffeisen Bank, u sekuestrua me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Gjatë prezantimit të raportit të SPAK në vitin 2024, kryeprokurori i posaçëm, z. Altin Dumani, deklaroi se bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri janë të përfshira në skemat e pastrimit të parave.

Deklarata e Dumanit (2024):

“Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare që të integronte të ardhurat në sektorin bankar, përmes shtresëzimit të transfertave që do të kalonin nëpërmjet këtij biznesi.”

Një hetim i finalizuar pak ditë më parë me masa arresti dhe një njoftim zyrtar të SPAK për sekuestrimin e 17 tonëve kokainë dhe aseteve, mes tyre edhe “Ajman Park Resort”, ka zbuluar përfshirjen e Raiffeisen Bank.

Sipas dokumenteve, rezulton se të gjitha aksionet dhe të drejtat pasurore që dispononte Fadil Balla, i janë kaluar Raiffeisen më datë 25 prill 2023. Ky transferim është bërë afro dy vite para goditjes dhe aksionit të SPAK, periudhë që përkon edhe me nisjen e hetimeve ndaj anëtarëve të grupit ku bënte pjesë Balla.

Kalimi i aksioneve është kryer pasi Balla kishte marrë një kredi në Raiffeisen Bank dhe si garanci për shlyerjen e saj kishte lënë aksionet e tij në masën 100% të “Ajman Park”.

Kjo pasuri, që nga data 14 gusht, ka kaluar në administrimin e shtetit si pronë e sekuestruar, ndërsa banka që kishte dhënë kredinë është njoftuar për këtë veprim.