Pas një periudhe të gjatë larg televizionit, duket se Luana Vjollca mund të rikthehet shumë shpejt në ekran, duke iu rikthyer kështu një prej pasioneve të saj më të mëdha: moderimit.
Publiku e ka parë ndër vite në role të ndryshme – si moderatore, këngëtare dhe së fundmi edhe si sipërmarrëse – por së fundmi po qarkullojnë gjithnjë e më shumë zëra se ajo mund të rikthehet në televizion.
Sipas këtyre spekulimeve, rikthimi i saj mund të ndodhë në ekranin e Top Channel, televizioni ku ajo nisi rrugëtimin mediatik dhe ku u bë një nga figurat më të njohura të ekranit shqiptar. Madje, flitet se ajo mund të shfaqet si e ftuar në programin Goca & Gra, një lëvizje që mund të shërbejë si një sinjal për një rikthim më të madh në televizion.
Vetë Luana kishte lënë të kuptohej më herët se rikthimi në ekran ishte vetëm çështje kohe. Në shtator të vitit 2025, gjatë një bisede virtuale me ndjekësit në rrjetet sociale, ajo u shpreh:
“Sigurisht që do rikthehem në ekran sepse nuk di si të jetoj pa ju…”
Edhe pse nuk zbuloi detaje për projektin apo kohën e rikthimit, mesazhi i saj ishte i qartë: televizioni mbetet një pjesë shumë e rëndësishme e karrierës së saj.
Ndërkohë, në nëntor të të njëjtit vit, ajo ngacmoi sërish fansat me një pyetje në rrjetet sociale: “Pa më thoni pak, cilin program doni?”, duke shtuar edhe më shumë kuriozitetin për projektet që mund të ketë në plan.
Kujtojmë se Luana Vjollca u largua nga Top Channel në vitin 2021, pas një karriere rreth 15-vjeçare në këtë televizion. Në atë kohë, ajo e përshkroi eksperiencën si një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës së saj profesionale, duke e quajtur televizionin “shtëpia ime”.






