Shtetet e Bashkuara kanë shpallur tarifa të reja të rritura për importet nga një sërë partnerësh tregtarë, si pjesë e përpjekjeve për të ulur deficitin tregtar dhe për të rritur të ardhurat kombëtare. Lajmi u bë i ditur nga Shtëpia e Bardhë.

Tarifat  e reja ndaj 69 vendeve do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, në orën 00:01 me orën lokale të Uashingtonit, dhe jo më 1 gusht (Pra sot) siç ishte parashikuar fillimisht.

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të enjten (31 korrik 2025) një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave doganore më të larta për një gamë të gjerë produktesh që vijnë nga dhjetëra vende të botës.

Ky veprim, sipas Shtëpisë së Bardhë, ka për qëllim “ristrukturimin e tregtisë globale në favor të punëtorëve amerikanë.”

Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.

Në atë urdhër Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi ishin goditur me taksë bazë prej 10 për qind.

Ndërsa sipas modifikimeve të fundit, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind.

Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.

Ndërkohë, mallrat që dyshohet se kalojnë në vendet e treta për të shmangur tarifat më të larta do të përballen me tarifa shtesë ndëshkuese.

Trump bëri këtë njoftim pak para se të skadonte afati 90-ditor që kishte vendosur në prill për pezullim të tarifave që kishte prezantuar atëherë, me qëllim të ofrimit të hapësirës për të negociuar me partnerët tregtarë.

Ndër vendet që kanë nënshkruar marrëveshje tregtare me SHBA-në brenda afatit janë Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut, për të cilat do të aplikohet një tarifë prej 15%. Mbretëria e Bashkuar, ku produktet do të tarifohen me 10%.

Ndërkohë, disa ekonomi si Kina, Kanadaja dhe Meksika janë subjekt i rregullave të veçanta tregtare dhe trajtohen në bazë të dispozitave specifike që nuk përfshihen në këtë urdhër të ri.