Landi Çela, Pirg 15 gusht 2025

Erald Xhejo (viktima), Enedio Guri(autori)

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka përfshirë fshatin Pirg të Maliqit në mbrëmjen e së enjtes, duke lënë pas një komunitet të mbërthyer nga dhimbja dhe trishtimi. 14-vjeçari Erald Xhejo humbi jetën si pasojë e një konflikti të dhunshëm me bashkëmoshatarin e tij, Enedio Guri, gjithashtu 14 vjeç.

Në  fshatin Zvirinë të Maliqit, familja Xhejo ka hapur dyert e mortit. Do të përcjellin sot për në banesën e fundit djalin e tyre Eraldin vetëm 14 vjeç.

Ëndrrat iu prenë me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, edhe ai 14 vjeç por nga një fshat tjetër, Leminot.

Miq e bashkëfshatarë, të veshur me të zeza shkojnë t’i qëndrojnë pranë prindërve për të përballuar këtë mort. Janë të shokuar, ndërsa Eraldin do e kujtojnë si djalin e urtë e të edukuar, ‘djalin kapedan’.

Si ndodhi tragjedia

Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, dy të miturit janë takuar në ambientet e një lokali të fshatit, të shoqëruar nga disa miq të tyre. Ajo që fillimisht ishte një bisedë e tensionuar, me replika të tipit “pse më shikon?”, u kthye shpejt në përplasje fizike. Në kulmin e konfliktit, Guri dyshohet se ka përdorur një thikë që mbante me vete, duke goditur për vdekje Eraldin.

Burime pranë hetimeve zbulojnë se mes dy adoleshentëve kishte një konflikt të mëparshëm, i cili datonte prej një viti dhe nuk ishte shuar. Madje, një ditë para ngjarjes, ata kishin pasur një debat dhe ishin “dakorduar” të takoheshin për sqarime – takim që përfundoi në tragjedi.

Arrestimet dhe akuzat

Policia e Korçës ka vënë në pranga gjithsej tetë persona në lidhje me këtë ngjarje:

Autori i dyshuar, Enedio Guri, akuzohet për “vrasje me dashje”.

Babai dhe xhaxhai i autorit, të dyshuar për fshehje të mjetit prerës dhe moskallëzim krimi.

Katër të mitur dhe një 34-vjeçar, të cilët ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes, akuzohen për pengim të drejtësisë dhe mosnjoftim të autoriteteve.

Sipas Policisë, mjeti prerës i krimit është fshehur menjëherë pas ngjarjes nga familjarë të autorit, ndërsa disa prej shokëve të pranishëm kanë dhënë deklarime të pavërteta për të penguar zbardhjen e rastit.

Profili i autorit dhe reagimet e komunitetit

Në rrjetet sociale qarkullojnë foto të Enedio Gurit me armë gjahu, cigare dhe mbishkrime provokuese si: “Mos më kërko, unë nuk vij” dhe “Por shfaqem, kur ty s’ta pret mendja”. Këto imazhe kanë shkaktuar indinjatë të madhe në opinionin publik, duke ngritur pyetje mbi edukimin, ambientin shoqëror dhe kontrollin familjar ndaj të miturve.

Kjo është banesa e 14 vjeçarit të arrestuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Erald Xhejo.

Shtepia e autorit në Leminot

Një shtëpi e vjetër, me çati llamarine në fshatin Leminot të bashkisë Maliq. Dyert janë të mbyllura e kudo rreth mbizotëron heshtja.

Pas krimit autori, 14 vjeçari Eneido Guri tentoi të largohej por u kap nga policia dhe u dërgua për ndihmë në spital pasi ishte dëmtuar lehtë dhe më pas është shoqëruar për në ambientet e policisë së Korçës si i akuzuar për vrasje me dashje

Në orët në vijim pritet të merret në pyetje në prani të një psikologu dhe familjarëve. Në komisariat janë arrestuar dhe babai i tij,  Edison Guri dhe xhaxhai Roland Guri. Ky i fundit akuzohet se ka marrë nga vendi i ngjarjes thikën me tē cilën u krye vrasja,e ka larë dhe më pas e ka fshehur,duke dashur të pengojnë kështu hetimet.

Familja e autorit, (sipas informacionit paraprak, mamaja e autorit dhe një fëmijë i saj)  është larguar nga banesa për shkak të frikës së një koflikti të mundshëm” mësohet nga banorët e lagjes.

Dy fshatrat, Leminot ku banonte autori dhe Zvirinë ku banonte viktima janë shumë pranë njëra tjetrës.

Ndërkohë i mbyllur qëndron dhe lokali ku ka ndodhur vrasja në fshatin Pirg, që ndodhet mes dy fshatrave ku banonte viktima dhe autori.

Banorët e Pirgut, të mbërthyer në heshtje e lot, e kujtojnë Eraldin si një djalë të sjellshëm dhe të respektuar. Për familjen Xhejo, kjo është një humbje e papërshkrueshme,  një fëmijë i larguar nga jeta ende pa e nisur atë.

Hetimet në vijim

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, po vijon marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe analizën e provave për të përcaktuar në detaje motivet dhe rrethanat e ngjarjes. Përveç akuzave individuale, pritet të verifikohet edhe nëse ka pasur nxitje, organizim apo elementë të tjerë që çuan në përshkallëzimin e konfliktit.

Kjo tragjedi ngre pyetje të thella mbi sigurinë e fëmijëve, kulturën e dhunës dhe rolin e institucioneve arsimore e shoqërore në parandalimin e ngjarjeve të tilla. Fshati Pirg  me rreth 600 familje , po e përcjell me dhimbje Eraldin për në banesën e fundit, ndërsa kërkon drejtësi dhe përgjigje.