Gazetari Elton Tozaj, i cili u dhunua rëndë disa ditë më parë, ka rrëfyer për herë të parë publikisht ngjarjen.
Tozaj tregon se dhuna ndaj tij erdhi pas publikimit të disa lajmeve që, sipas tij, kanë nxitur reagime të forta dhe kërcënime të vazhdueshme. Ai shpjegon se kishte pranuar të zhvillonte një takim me persona që dyshon se janë autorët e sulmit, me qëllim sqarimin e situatës dhe reagimit të tij publik.
Sipas gazetarit, takimi përfundoi në një sulm brutal, ku ai u godit në mënyrë çnjerëzore dhe u la i shtrirë në mes të rrugës, i gjakosur dhe pa ndjenja.
“Ngjarja ka nisur rreth 12 ditë më parë, gjatë një emisioni të përditshëm në mëngjes, ku unë trajtoj rubrikën e showbiz-it. Atje deklarova se një vajzë publike kishte një lidhje intime me një personazh të botës së krimit, i cili rezulton në kërkim nga SPAK. Kam treguar edhe pamje video që i kisha në telefon. Të nesërmen u përballa me kërcënime dhe më kërkuan që videot t’i fshija. Unë i fshiva, por presioni nuk u ndal,” rrëfen Tozaj.
Ai shton se kërcënimet vazhduan deri katër ditë më parë, kur u kontaktua nga dy persona që i njihte vetëm sipërfaqësisht. Duke vepruar në mirëbesim, ai pranoi të takohej me ta, pa e imagjinuar se çfarë do të pasonte.
“Pasi u takuam, nuk mbaj mend asgjë. U dhunova në mënyrë çnjerëzore. Fjalia e fundit që mbaj mend ishte: ‘Kush je ti që do të ndryshosh botën’. Kur u përmenda, e gjeta veten të shtrirë në rrugë, i gjakosur. U çova dhe vrapova. Kam ndjesinë se më lanë për të vdekur. Më goditën vetëm në fytyrë, sepse besoj se donin të më jepnin një mesazh që të mos dal më në ekran,” shprehet ai për emisionin “Shqipëria Live”.
Gazetari bën me dije se ende nuk ka bërë kallëzim penal, ndërsa pret një reagim nga organet e drejtësisë. Ai pranon se jeton nën frikë, jo vetëm për sigurinë e tij personale, por edhe për atë të nënës së tij.






