Naim Noka | Opinion | Publik.al

Meqenëse Pashai ynë, që qeveris me dorë të hekurt prej katër mandatesh radhazi, nuk di asgjë për ato që kanë vjedhur e abuzuar ministrat e tij, le ta marrim të mirëqenë: ai nuk ka dijeni as për koncesionet, as për tenderat me miliarda euro, as për AKSHI-n, as për shëndetësinë. Madje, sipas këtij standardi, ai nuk di as çfarë thotë e çfarë bën vetë. Dhe pse duhet t’i bjerë ndër mend? Fundja, ç’i duhet Pashait mendimi, puna dhe veprat e ekipit që vetë ka zgjedhur në një dekadë.

Pashai ynë nuk gabon kurrë. Kurrë. Që nga dita kur ka lindur, ai ka ardhur në këtë botë për të qenë lider i njerëzimit, se i shqiptarëve po e po. Gabimi, abuzimi dhe vjedhja që u bënë në këto vite është gjithmonë diku tjetër. Fajin e ka ministrja, drejtori, vartësi i radhës, ndonjë “jetim institucional” pa mbrojtje politike, që hidhet përpara si mburojë kur era e skandalit bëhet e fortë.

Në këtë regjim të papërgjegjshmërisë së përkryer, Pashai del gjithmonë i pastër. Ai flet për reforma gjigande euroatlantike, ndërsa firmos me firmë të autorizuar abuzimin skandaloz që i ka ndodhur një kombi kaq të varfër dhe tashmë të plakur e pa shpresë në tunelet e Ballukut, ku e futi Pashai ynë që flet për transparencë dhe pavarësi pushtetesh, ndërsa mbulon aferat; flet për drejtësi, ndërsa gjen gjithmonë një tjetër fajtor për t’ia faturuar dështimin. Ai nuk sheh, nuk dëgjon, nuk di. Por sundon.

Kësaj radhe, qoka që bëri për Sulltanin Erdogan në tunelin e Llogarasë, duke i dhënë një llokmë nga pasuria dhe gjaku i këtij kombi, duket se do ta ulë në gjunjë pa shpresë në fund të tunelit të Llogarasë, edhe pse do ta zvarrisë për pak kohë.

Dhe ky është paradoksi më i madh: një pushtet absolut pa përgjegjësi, një lider i pagabueshëm në një vend ku gjithçka shkon keq. Në fund, mandat pas mandati, ky Pashai ynë modern, që ka kohë të merret me macen në podkastin e tij, nuk gabon kurrë… Tani gabimi, faji, imoraliteti dhe vjedhjet qindra milionë euro janë bërë pjesë e sistemit. Dhe ky sistemi i Pashait nuk ka nevojë për fajtorë. Ka vetëm viktima.

Por Viktimat e vërteta janë ata fëmijë e të rinj që kanë mbetur. Viktima janë pensionistët. Viktima është edhe administrata e skllavëruar pas një rroge. Viktima janë edhe mediat e Tiranës, që nuk u ngritën kurrë në nivelin profesional dhe të ndërgjegjes që kërkon “pushteti i katërt”, por pronarët e mediave me licenca kombëtare dhe jo vetëm e shitën nderin dhe shpirtin për llokma që u jepte Pashai ynë, që i nënshtroi duke i bërë paçavure që shpërlajnë pa skrupuj trurin e shumicës së banorëve që konsumojnë turlilloj ushqimesh importi pa kontroll, pinë ujë të blerë në plastikë, djegin naftën më të shtrenjtë në Europë, sigurohen dhe mbrohen nga drejtues policie që marrin peng qytetarë për llogari të bandave.

Cirku i Pashait tonë do të vijojë edhe për shkak të opozitës rakitike. Kjo e fundit nuk mund të ishte ndryshe. Shpresa e vetme ka mbetur nëse mund të ketë ngelur në radhët e prokurorëve të SPAK-ut dhe ndonjë gjyqtar që e do këtë vend sadopak, që të bënin shërbimin final duke mos u tërhequr para batërdisë së vjedhjes dhe korrupsionit, pse jo edhe para Pashait. Shqiptarët duhet ta dinë se nuk i shpëton as drita në fund të tunelit të Ballukut, e cila është viktima e radhës edhe me këmbënguljen e amerikanëve. Pashai kurrë nuk do të sakrifikojë pashallëkun e tij, që ka ngritur me bandat dhe oligarkët, për lirinë e secilit prej nesh. Pashai di vetëm një gjë të sigurt: me “delet” që kanë mbetur banorë të këtij vendi, mund të bësh çfarë të duash, i qetë në Kopshtin Privat duke shijuar pa afat zullumin e tij mbretëror!