Autor i dyshuar një bashkëkombës

Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur gjatë natës mes 20 dhe 21 marsit në zonën e Olmos, në Itali, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një i ri shqiptar.

Viktima është identifikuar si Gjergj Pergegaj, 29 vjeç, me origjinë nga Lezha, banues në Frassineto, në bashkinë e Arezzos. Ai pritej të festonte 30-vjetorin më 19 prill.

Sipas autoriteteve italiane, Pergegaj është qëlluar me katër plumba pistolete pranë një lokali, në rrethrrotullimin e Olmos, në hyrje të rrugës “Via Romana”.

Për ngjarjen është arrestuar një 35-vjeçar shqiptar, i njohur i viktimës, banues në Rigutino. Ai ndodhet në paraburgim dhe akuzohet për vrasje me dashje. Në vijim pritet të merret në pyetje nga hetuesit italianë.

Të dhënat paraprake sugjerojnë se motivi i krimit mund të lidhet me xhelozi apo rivalitet sentimental, megjithatë autoritetet po hetojnë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një konflikt të çastit apo një akt të paramenduar.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse takimi mes viktimës dhe autorit ka qenë i planifikuar apo i rastësishëm.

Trupi i pajetë i 29-vjeçarit është transportuar në morgun e spitalit “San Donato”, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

Ngjarja ka shkaktuar reagime në komunitetin shqiptar në Itali, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.