Shqipëria vijon të përballet me një trashëgimi të rëndë ndotjeje nga kimikatet e rrezikshme dhe metale të rënda, të depozituara për dekada në zona industriale, minerare dhe bujqësore. Sipas dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020-2035, disa “pika të nxehta” përbëjnë rrezik serioz për mjedisin dhe shëndetin e banorëve.
Elbasani dhe kompleksi metalurgjik i tij përmenden si ndër zonat më problematike, ku mbi 1.5 deri në 2 milionë ton mbetje ferronikali dhe ferrokromi janë depozituar, duke ndotur rëndë lumin Shkumbin, shkruan Monitor. Zona e Balëzit, po në Elbasan, mbart mbetje kimike të dëmshme si dikloremetan, kripëra arseniku dhe nitrate amoni. Një pjesë e këtyre mbetjeve është eksportuar për asgjësim, por siç thekson Monitor, depozita të tjera mbeten të pasigurta dhe të rrezikshme.
Industria e bakrit ka lënë gjurmë të thella në zona si Rrëshen, Kurbnesh, Rubik, Reps, Fushë Arrëz, Kalimash dhe Gjegjan, ku përqendrimet e larta të arsenikut dhe metaleve të rënda kanë ndotur lumenjtë Mat, Fan, Osum dhe Drin. Kjo ndotje prek drejtpërdrejt tokat bujqësore dhe burimet e ujit të pijshëm, raporton Monitor. Zona e Gjegjanit konsiderohet gjithashtu si një nga më të ndoturat në vend.
Edhe Pogradeci dhe rrethinat e liqenit të Ohrit janë nën kërcënimin e mbetjeve ferronikali nga minierat e Përrenjasit dhe Gurit të Kuq, ndërsa në Rehovë, në kufi me Greqinë, ndotja nga miniera e bakrit ka shkaktuar dëme të mëdha në bimësi.
Industria e naftës në Ballsh, Kuçovë dhe veçanërisht në zonën e Patos-Marinzës ka ndotur burimet ujore, duke përhapur hidrokarbure dhe gazra toksikë në ajër dhe ujërat nëntokësore, ndërkohë që ndotja ka arritur deri në lumin Gjanica.
Në Fier, ish-Uzina e Azotikut ka lënë pas 850 m³ solucione të ndotura që përmbajnë arsenik dhe që kanë ndikuar negativisht në tokë dhe ujërat nëntokësore. Magazinat e vjetra ruajnë mbi 93 mijë kilogramë kimikate të rrezikshme.
Porto Romano në Durrës renditet ndër zonat më të ndotura që nga vitet ’90, me praninë e kimikateve shumë të rrezikshme si hekzaklorociklohekzan dhe krom (VI). Pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për pastrim, kjo zonë vazhdon të përbëjë një burim të rëndësishëm ndotjeje, raporton Monitor.
Një tjetër pikë kritike mbetet stacioni hekurudhor i Bajzës në Shkodër, ku mbi 80 ton mbetje kimike të importuara nga Gjermania në fillim të viteve ’90 vazhdojnë të jenë të pamenaxhuara.
Laçi, Lushnja dhe Vlora janë po ashtu zona me ndotje të lartë për shkak të mbetjeve të superfosfatit, PVC-së dhe metaleve të rënda, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në tokë dhe ujërat përreth, siç raporton Monitor.
Ekspertët e mjedisit theksojnë se këto zona përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm për shëndetin publik dhe ekosistemet, pasi kimikatet e depozituara nuk janë neutralizuar plotësisht. Monitor nënvizon se pastrimi dhe monitorimi i tyre kërkon fonde të mëdha dhe një strategji afatgjatë për të parandaluar përhapjen e ndotjes dhe pasojat shëndetësore për popullsinë.









