Institucionet me fondet më të mëdha drejtohen nga zyrtarë nën hetim
Lista e investimeve publike për vitin 2026 tregon se shpenzimet kapitale do të arrijnë në 1.26 miliardë euro, duke përfshirë të gjitha prokurimet publike që nuk lidhen me paga, pensione apo subvencione.
Sipas të dhënave, gjysma e këtij fondi rreth 562 milionë euro i është vënë në dispozicion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucioni me peshën më të madhe financiare në buxhetin e investimeve.
Titullari i këtij dikasteri është marrë i pandehur me akuzën “shkelje e barazisë në tendera”, ndërkohë që ministria vijon të administrojë fondet më të mëdha publike.
Institucioni i dytë për nga volumi i prokurimeve është Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), me 197 milionë euro shpenzime të planifikuara për vitin 2026 dhe një vlerë totale projektesh prej 808 milionë euro. Disa procedura të këtij institucioni janë aktualisht nën hetim nga SPAK. Ndërkohë, ish-drejtuesi i FSHZH është zyrtarisht nën hetim për manipulim gare në një procedurë tjetër gjatë kohës që drejtonte KESH-in, ndërsa sot mban postin e kryetarit të Bashkisë Shkodër.
Në vendin e tretë renditet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me 67 milionë euro shpenzime kapitale për vitin 2026 dhe një vlerë projektesh prej 256 milionë euro. Drejtuesja e këtij institucioni ndodhet në arrest shtëpie, e dyshuar për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, të gjithë zyrtarët në fjalë vijojnë të jenë në detyrë dhe pritet të marrin vendime për menaxhimin e shumicës së fondeve kapitale të buxhetit të shtetit.






