Rama thur elozhe, por faktet tregojnë të kundërtën

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama për “punën kolosale” në infrastrukturë dhe vlerësimet për ministren Belinda Balluku kanë nxitur debat të fortë publik, sidomos pas raportimeve të fundit për dëmtime në disa nga rrugët e ndërtuara ose të rikonstruktuara gjatë viteve të fundit.

Në një prononcim para deputetëve socialistë, Rama renditi disa nga projektet më të mëdha rrugore të realizuara gjatë mandatit të qeverisë, duke i cilësuar si investime strategjike që kanë transformuar ndjeshëm infrastrukturën e vendit dhe kanë përmirësuar lidhjet mes rajoneve.

Megjithatë, ndërsa në diskursin politik flitet për histori suksesi, në terren situata në disa segmente rrugore paraqitet më problematike. Raportime të shumta nga zona të ndryshme të vendit tregojnë për çarje të asfaltit, rrëshqitje dherash, dëmtime të mureve mbajtëse dhe probleme të tjera strukturore që kanë ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve.

Në disa raste, segmentet e dëmtuara janë bërë të vështira për qarkullim, ndërsa autoritetet lokale kanë ndërhyrë për riparime emergjente për të garantuar sigurinë e drejtuesve të mjeteve. Këto probleme vijnë në një kohë kur investimet në infrastrukturën rrugore kanë arritur shifra shumë të larta, me mbi një miliard euro të shpenzuara vetëm gjatë dy viteve të fundit për projekte të ndryshme në të gjithë territorin e vendit.

Nga veriu në jug, një sërë akseve të rëndësishme janë përmendur në raportime për dëmtime apo probleme teknike. Mes tyre përfshihen segmente turistike, rrugë lidhëse rajonale dhe projekte të mëdha infrastrukturore që kanë qenë në qendër të investimeve publike.

Rrugët ku janë evidentuar dëmtime përfshijnë:

  • Kuç – Qeparo

  • Dhërmi

  • Tuneli i Llogarasë

  • Zona pranë Tunelit të Skërficës në Kardhiq

  • Vlorë

  • Vlahinë – Poçem

  • Ura e Selenicës

  • KorçëErsekë

  • Dardhë – Boboshticë

  • Qukës – Qafë Plloçë

  • Librazhd – Përrenjas

  • Auto-moto-parku në Elbasan

  • Vorë

  • Zall Herr

  • Skarpata në

Për shumë ekspertë të infrastrukturës, rastet e raportuara tregojnë nevojën për kontrolle më të rrepta mbi cilësinë e punimeve dhe për një sistem më të fortë monitorimi gjatë dhe pas përfundimit të projekteve. Në të njëjtën kohë, debati politik për investimet në rrugë pritet të vazhdojë, pasi infrastruktura mbetet një nga sektorët ku janë përqendruar fondet më të mëdha publike gjatë viteve të fundit.