Botërori në pranverë, Liga e Kombeve me format të ri në vjeshtë
Viti 2026 i rezervon Shqipërisë një mundësi historike për t’u afruar me Kupën e Botës, me praninë për herë të parë në ndeshjet play-off që do të zhvillohen në muajin mars, ku do të luhet një biletë për aktivitetin më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Nëse gjysma e parë e vitit do të jetë e fokusuar tërësisht te ëndrra botërore, pjesa e dytë e 2026-s do të zhvendosë vëmendjen te Liga e Kombeve, e cila do të zhvillohet me një ndryshim të rëndësishëm në kalendar, të miratuar nga UEFA.
Sipas kalendarit ndërkombëtar për vitin 2026, në fazën e dytë të vitit do të aplikohet për herë të parë një “dritare e gjatë” e ndeshjeve ndërkombëtare. Konkretisht, dritaret tradicionale të shtatorit dhe tetorit do të bashkohen në një periudhë të vetme.
UEFA ka parashikuar që ekipet kombëtare të luajnë katër ndeshje në periudhën 24 shtator – 6 tetor, ndërsa dy takimet e fundit do të zhvillohen në 12–17 nëntor 2026. Ky është rasti i parë që aplikohet një format i tillë, i cili fillimisht ishte planifikuar për vitin 2027, pas kërkesave të vazhdueshme të klubeve evropiane për të reduktuar udhëtimet e shpeshta të futbollistëve në fillim të sezonit.
Në këtë edicion të Ligës së Kombeve, Shqipëria do të garojë në Ligën C, me objektiv të qartë fitimin e grupit. Një sukses i tillë do t’i garantonte Kombëtares, të paktën, pjesëmarrjen në play-off për EURO 2028, duke e mbajtur gjallë objektivin për turnetë madhorë edhe përtej Botërorit.
Viti 2026 pritet kështu të jetë një nga më vendimtarët për të ardhmen e futbollit shqiptar, mes ëndrrës së Botërorit dhe një rruge të re drejt Europianit.






