Dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale, me një vlerë të përllogaritur rreth 3 milionë euro, janë sekuestruar në shtëpinë e biznesmenit Ergys Agasi. Ai është shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenë dhe, përmes dhunës, i detyronte të hiqnin dorë nga tenderat e AKSHI-t.
Shishet e verës u gjetën nga agjentët e BKH-së, të cilët njoftuan prokurorin e çështjes për kryerjen e sekuestrimit. Me urdhër të prokurorit, u vendos masa e sekuestrimit dhe u njoftua Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila i bllokoi për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie detyrimesh tatimore. Burimet bëjnë me dije se një tentativë për ndërrimin e shisheve u bë e pamundur, pasi ato ishin dokumentuar dhe fotografuar plotësisht nga grupi i hetimit.
Sipas burimeve, çmimi i një shishe vere varionte nga 7 deri në 10 mijë euro, dhe bëhet fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet. Koleksioni do t’i nënshtrohet verifikimit të mëtejshëm për të përcaktuar burimin e ligjshëm të pasurisë.
Ndërkohë, për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie arrest me burg, ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre, dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet.
Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi sot masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën dhe zv. drejtoreshën e AKSHI-t. Të dyja masat u konfirmuan nga GJKKO pas shqyrtimit të kërkesave për ndryshim mase, ndërsa hetimet nga SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të manipulimit të tenderave.






