Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shtetit pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëjetueses së tij dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër për ta kanosur atë dhe familjarët e saj.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 në fshatin Shelegar. Shtetasi Kristi Ceka, 31 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se ka shkuar në banesën e ish-bashkëjetueses së tij, ku fillimisht e ka dhunuar fizikisht.

Pas konfliktit, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka kanosur ish-partneren dhe familjarët e saj, duke qëlluar disa herë në ajër. Pas kësaj, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip Audi Q7 në drejtim të Borshit.

Falë reagimit të shpejtë dhe veprimeve të koordinuara të shërbimeve të policisë, autori është arritur të lokalizohet dhe të vihet në pranga pak kohë pas ngjarjes.

Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për zbardhjen e plotë të incidentit.

Njoftimi i policisë: 

Sot, rreth orës 17:30, shtetasi K. C., 31 vjeç, banues në Borsh, ka shkuar në fshatin Shelegar, në banesën e ish-bashkëjetueses së tij, ku dyshohet se e ka dhunuar fizikisht.

Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se e ka kanosur me armë zjarri atë dhe familjarët e saj, duke qëlluar disa herë në ajër.

Falë reagimit të shpejtë dhe punës së mirëorganizuar të shërbimeve të Policisë u bë e mundur kapja e autorit të kësaj  ngjarje.

Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.