Të dhënat e Agjencia e Sigurimit të Depozitave tregojnë një rritje të llogarive bankare në Shqipëri, por edhe një thellim të pabarazisë në kursime.

Në fund të vitit 2025, në bankat e nivelit të dytë ishin 2.93 milionë llogari, +5% krahasuar me një vit më parë. Totali i depozitave arriti në 1.39 trilionë lekë, me rritje vjetore 8.8%.

Megjithatë, 34.5% e llogarive rezultojnë bosh. Mbi 1 milion depozitues kanë balanca nga 0 deri në 100 lekë, me rritje 6.5% në raport me 2024.

Pjesa më e madhe e qytetarëve, rreth 60.8% (1.78 milionë persona), mbajnë kursime deri në 2.5 milionë lekë, që është edhe niveli maksimal i sigurimit të depozitave. Këta zotërojnë vetëm 40.9% të totalit të kursimeve.

Në krahun tjetër, vetëm 137.5 mijë depozitues (4.6% e totalit) kanë mbi 2.5 milionë lekë dhe kontrollojnë 59% të depozitave, rreth 819 miliardë lekë. Numri i tyre është rritur me 9.3%, ritmi më i lartë mes të gjitha kategorive.

Paralelisht, fondi i sigurimit të depozitave u rrit në 77.5 miliardë lekë (+10.5%), duke mbuluar 7.83% të depozitave të siguruara.

Skema aktuale garanton deri në 2.5 milionë lekë për depozitues. Me një ligj të ri që pritet në 2026–2027, kufiri parashikohet të rritet në 6 milionë lekë, ndërsa në perspektivë integrimi me standardet e BE-së synohet mbulim deri në 100 mijë euro.