Skandal në QSHA – Mësuesit pa mundësi ankese për Provimin e Kualifikimit!
Një tjetër skandal trondit sistemin arsimor shqiptar! Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), institucioni përgjegjës për administrimin e provimeve të kualifikimit për mësuesit, ka dështuar të sigurojë një proces transparent dhe funksional për trajtimin e ankesave të kandidatëve.
Denoncimi i mësuesve:
Një grup mësuesish, të cilët kanë dhënë provimin e kualifikimit, kanë raportuar për Publik.al se asnjë nga format e ofruara për të dorëzuar ankesat nuk funksionon.
• Forma online e ankesave: Kur mësuesit përpiqen të dërgojnë ankesën e tyre përmes platformës zyrtare, sistemi kthen një mesazh gabimi që thotë: “Kërkesa juaj dështoi për shkak të një gabimi serveri”.
• Emaili zyrtar për ankesat: Adresa e emailit që supozohet të jetë funksionale për dërgimin e ankesave rezulton e pavlefshme, duke mos lejuar asnjë komunikim me institucionin.
• Numri i telefonit zyrtar: Kur mësuesit tentojnë të kontaktojnë me telefon QSHA-në, përballen me një absurd tjetër: numri nuk ekziston! (+355 4 2419257).
Çfarë po ndodh me QSHA-në?
Ky kaos ka shkaktuar stres dhe revoltë masive tek mësuesit që ndihen të braktisur nga institucionet përgjegjëse. Si është e mundur që një institucion shtetëror, i cili menaxhon një proces kaq të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në vend, të mos ofrojë asnjë mundësi të vlefshme për komunikim?
A është ky një rastësi apo një tentativë e qëllimshme për të bllokuar ankesat?
Mosfunksionimi i platformës dhe mungesa e një adrese të vlefshme kontakti ngre dyshime serioze mbi transparencën dhe ndershmërinë e procesit të vlerësimit. A ka diçka për të fshehur QSHA-ja dhe Ministria e Arsimit?
Interesimit te gazetarit tonë askush nuk i dha një përgjigje.
Kërkojmë përgjigje!
Publik.al i bën thirrje QSHA-së dhe Ministrisë së Arsimit të japin menjëherë shpjegime mbi këtë situatë të papranueshme.
• Pse asnjë kanal komunikimi nuk funksionon?
• A do të ndihmohen mësuesit që duan të ankohen për vlerësimin e tyre?
• A ka transparencë në këtë proces, apo gjithçka është një farsë?
Kjo nuk është hera e parë që institucionet shtetërore tregojnë paaftësi dhe indiferencë totale ndaj qytetarëve. Mësuesit meritojnë respekt dhe trajtim të drejtë, jo pengesa të pajustifikueshme në një proces jetik për karrierën e tyre.
Ne do të ndjekim këtë çështje deri në fund! QSHA dhe Ministria e Arsimit, përgjigjuni!





