Denoncimi
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur një alarm serioz mbi atë që ajo e cilëson si kolaps të politikave të digjitalizimit të qeverisë, duke theksuar se shifrat rekord të shpenzimeve nuk janë përkthyer në shërbime reale dhe funksionale për qytetarët.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku evidenton se vetëm brenda një viti buxheti i AKSHI-t është rritur me rreth 400 milionë euro, ndërsa numri i punonjësve në administratën publike ka shkuar në 184 mijë, afro 20 mijë më shumë krahasuar me katër vite më parë. Sipas saj, kjo rritje justifikohet nga qeveria me premtimin e digjitalizimit dhe përmirësimit të shërbimeve, por realiteti në terren tregon të kundërtën.
“Administrata publike dhe AKSHI sot konsumojnë pothuajse 18% të buxhetit të shtetit, ndërkohë që shërbimet digjitale nuk funksionojnë,” deklaron Tabaku, duke theksuar se këto dështime nuk janë rastësore, por rezultat i korrupsionit, tenderëve të paracaktuar dhe shpenzimeve të pakontrolluara.
Deputetja demokrate akuzon qeverinë se ka humbur plotësisht sensin e prioriteteve publike, duke zëvendësuar reformat reale me një shpërndarje masive prokurimesh. “Nuk është rastësi që sot flitet për një ‘qeveri të prokurimeve’ dhe një ‘qeveri të të pandehurve’,” shprehet ajo, duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe një rishikim të thellë të mënyrës se si menaxhohen fondet publike në sektorin e digjitalizimit.
Tabaku rithekson se digjitalizimi duhet të shërbejë për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe për të reduktuar burokracinë, e jo të përdoret si alibi për rritje shpenzimesh dhe abuzime me paratë publike.






