Denoncimi hedh akuza të forta për mosveprim në largimet masive
Pas publikimit të reagimeve dhe protestës së banorëve të Rrjollit përpara SPAK, një denoncim tjetër ka mbërritur në redaksinë e publik.al, i cili vë në shënjestër Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.
Një ish-punonjës i kompanisë shtetërore Albpetrol pretendon se institucioni i drejtuar nga Gajda ka qëndruar në heshtje edhe për një rast të mëhershëm që lidhet me largime masive nga puna dhe, sipas tij, me trajtim diskriminues ndaj punonjësve.
Në reagimin e tij, denoncuesi shprehet se në vitin 2018, brenda një dite, rreth 600 punonjës të Albpetrol u larguan nga puna me argumentin se kompania nuk kishte mundësi financiare për t’i paguar. Sipas tij, vetëm pak ditë më vonë, këta punonjës u zëvendësuan me rreth 600 të rinj.
Ai pretendon se gjatë këtij procesi ka pasur raste të dokumentuara diskriminimi dhe se është vetë një prej personave të prekur. Sipas dëshmisë së tij, ai i ka dërguar zyrtarisht Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi një dosje voluminoze me rreth 100 faqe, ku përfshihen dokumente dhe prova që lidhen me menaxhimin e aseteve dhe burimeve njerëzore në Albpetrol.
Denoncuesi thekson se pavarësisht dorëzimit të dokumentacionit, nuk ka marrë asnjë përgjigje apo reagim institucional deri më sot.
Ky reagim vjen në një moment kur roli dhe reagimet e institucioneve të pavarura janë vënë në qendër të debatit publik, pas protestave të banorëve të Rrjollit dhe thirrjeve për ndërhyrje institucionale në mbrojtje të qytetarëve.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhur me këto pretendime.
“Nuk eshte hera e pare per te… ne vitin 2018 jane hequr brenda 1 dite 600 punonjes te alpetrol me pretendimin se alpetrol nuk I paguante dot keta punonjes. Nderkohe brenda pak diteve I zvendesoj me 600 puntor te rinje. Ka pasur raste te faktuara ky zotria qe ne alpetrol ka pasur edhe diskriminim ne ato heqje qe u ben. Personalisht jam nje rast I tille. Ku dosjen me 100 flete faktet menaxhimi te aseteve dhe Burmese njerzore te alpetrol ia kam nisur zyrtarisht Robert Gajdes. Dhe seshte marr asnje mase as sot dhe asnje pergjigje nga ky zotni,” shkruan denoncuesi.







