Gjykata Kushtetuese pritet sot të vendosë mbi kërkesën e kryeministrit Edi Rama lidhur me masat e sigurisë të vendosura nga GJKKO ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra dhe me ndalim daljeje jashtë shtetit për hetimin mbi tenderin 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë.

Kjo çështje vendos përballë Kushtetuesen me një provë të fortë koherence: a do të mbajë të njëjtin standard që përdori në rastin e Sali Berishës?

Në precedentët e mëparshëm, Gjykata:

  • Nuk e legjitimoi 1/5 e deputetëve për të ngritur konflikt kompetencash ndaj masave të GJKKO-së
  • Nuk e shpalli antikushtetuese në parim masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, por e rrëzoi vetëm për mungesë arsyetimi nga gjykatat më të ulëta
  • La të kuptohej se masa të tilla mund të jenë të ligjshme, nëse arsyetohen siç duhet

Sot, Rama kërkon pothuajse të njëjtën gjë që kërkonte opozita dikur: konflikt kompetencash dhe mbrojtje të imunitetit të një anëtari të Këshillit të Ministrave, të barazuar me atë të deputetit sipas nenit 103 të Kushtetutës.

Por nëse Kushtetuesja zbaton të njëjtën logjikë si në rastin Berisha, atëherë:

  • Mund të refuzojë të pranojë konfliktin e kompetencave si të vlefshëm
  • Mund të mos e konsiderojë automatikisht antikushtetuese masën e ndalimit të udhëtimit ndaj Ballukut
  • Mund të theksojë se masat janë individuale dhe duhen ndjekur përmes rrugës së ankimit personal, jo institucional

Kjo e vendos qeverinë përballë një paradoksi juridik: standardi që u përdor për liderin e opozitës sot mund të bjerë mbi një nga figurat më të rëndësishme të kabinetit.

Vendimi i sotëm nuk do të jetë thjesht për Ballukun. Ai do të tregojë nëse Gjykata Kushtetuese funksionon mbi parime të qëndrueshme kushtetuese apo mbi rrethana politike dhe emra konkretë. Nëse standardi ndryshon, atëherë do të forcohet perceptimi se drejtësia kushtetuese matet me peshore të ndryshme. Nëse jo, atëherë “kostumi” juridik i qepur dikur për Berishën mund të rezultojë i prerë sipas të njëjtës masë edhe për qeverinë.