Arben Llangozi
Projekti “Smart City” për vendosjen e kamerave të sigurisë është shembulli më i freskët i një tenderi korruptiv të maskuar si modernizim, ku teknologjia përdoret si dekor dhe “sekreti shtetëror” si dry për të mbyllur çdo informacion që do të duhej të ishte publik.
I prezantuar nga Qeveria Shqiptare si investim për sigurinë dhe rendin, projekti në thelb ngjan me një skemë klasike, shumë para publike, kontrata të errëta dhe një prokurim publik që duket se është bërë vetëm për të justifikuar një vendim të marrë më parë.
Në vend që gara të përcaktojë fituesin, fituesi duket se ka përcaktuar garën, sepse në kontratën e financimit me Emiratet e Bashkuara Arabe parashikohet që prokurimi të zhvillohet nga pala financuese, duke e kthyer tenderin e shpallur në Shqipëri në një procedurë formale, pa konkurrencë reale dhe pa mundësi kontrolli.
Në këto kushte, fjala “prokurim publik” humbet kuptimin dhe shndërrohet në një skenografi administrative, ku dokumentet hapen për sy e faqe, ndërsa thelbi mbetet i mbyllur. Etiketa “sekret shtetëror” përdoret jo për të mbrojtur sigurinë kombëtare, por për të fshehur çmimet, specifikimet teknike, përgjegjësitë e mirëmbajtjes dhe për të shmangur pyetjen më të thjeshtë: sa po kushton realisht ky projekt dhe kush po përfiton prej tij.
Një element që kërkon sqarim të plotë është rritja e ndjeshme e kostos së projektit, sipas informacioneve kofidenciale vlera fillestare e projektit ka qenë rreth 60 milionë euro, ndërsa më pas është çuar në 120 milionë euro. Një ndryshim i tillë kërkon transparencë të detajuar mbi arsyet teknike dhe financiare që e justifikojnë, përfshirë zgjerimin e objektit, specifikimet, shërbimet shtesë, licencat dhe mirëmbajtjen. Pa këto shpjegime dhe dokumente, dyfishimi i vlerës mbetet një pikë e rëndë dyshimi për fryrje kostoje dhe përdorim joeficient të fondeve publike.
Ironia është se një projekt që pretendon të rrisë sigurinë publike është ndërtuar mbi një proces që shmang transparencën, konkurrencën dhe llogaridhënien, duke përmbushur të gjitha kriteret e një tenderi korruptiv modern, ku vjedhja nuk bëhet më me thasë, por me kontrata të mbyllura dhe procedura “sekrete”.
Në fund, kamerat do të jenë aty, të shumta dhe të shtrenjta, do të shohin qytetarët, rrugët dhe sheshet, por nuk do të shohin kurrë kontratat që i sollën dhe paratë që u zhdukën, sepse në këtë “Smart City” vetëm një gjë mbetet vërtet inteligjente: mënyra si fshihet e vërteta.
Dhe pyetja që lind është fare e thjeshtë, kush fitoi nga ky “prokurim publik”? U shpall publik, por u trajtua si sekret, u justifikua si siguri, por u mbyll si pazar. Ky nuk është një projekt që del nga ndonjë “strategji” teknike e Belinda Ballukut, por një ide e shtyrë nga vetë Edi Rama, dhe kur kryeministri del si autor i vizionit, ndërsa kontratat fshihen dhe procedurat bëhen “për sy e faqe”.
Atëherë s’mbetet veçse të pyesësh a ka “ngrënë dardha Edi Rama te Smart City?






