Rasti i kërcënimit ndaj pronarit të MCN TV, Endri Meksi, ngre pikëpyetje serioze mbi ndikimin e mundshëm të grupeve të strukturuara kriminale me lidhje në administratë dhe strukturat e sigurisë. Një nga pistat që meriton vemendje është përfshirja e mundshme e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit.

Kujtojmë se Agasi dhe Beqiri përmenden si figura me ndikim të fortë në sektorë kyç, përfshirë AKSHI-n, një institucion me kontroll të ndjeshëm mbi infrastrukturën digjitale dhe të dhënat shtetërore. Nëse ky kontroll shtrihet përtej teknologjisë, duke prekur edhe vendimmarrjen dhe strukturat e rendit, atëherë krijohet një terren i favorshëm për presion dhe intimidim ndaj aktorëve mediatikë dhe ekonomike ne tendederat e AKSHI-it.

Në këtë kontekst, përmendet gjithashtu se ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka pasur kontakte të rregullta me Agasin, duke frekuentuar zyrën e tij në zonën e ish-Bllokut. Sipas burimeve, ekzistojnë edhe materiale video të administruara nga SPAK që dokumentojnë këto lëvizje. Nëse këto të dhëna konfirmohen, atëherë lind një tjetër dimension i rëndë i çështjes: ndërthurja e interesave private me zinxhirin komandues të policisë.

Po në këtë linjë, një tjetër element që shton dyshimet është fakti se miq të afërt të Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, prej muajsh, po kryejnë audit të kompanive të drejtuara nga Endri Meksi. Ky zhvillim, nëse lidhet me klimën e presionit dhe kërcënimit, mund të interpretohet si pjesë e një strategjie më të gjerë për kontroll ekonomik dhe verifikim të targetuar ndaj aktivitetit të tij.

Hipoteza që Agasi dhe Beqiri mund të kenë ndikim jo vetëm në AKSHI, por edhe në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit, sugjeron një strukturë të mundshme paralele ndikimi, ku vendimet dhe veprimet mund të orientohen jashtë kanaleve ligjore.

Në një skenar të tillë, kërcënimi ndaj një pronari mediaje si Endri Meksi nuk do të ishte një akt i izoluar, por pjesë e një mekanizmi më të gjerë kontrolli dhe presioni ndaj informacionit dhe narrativës publike.

Roli i SPAK në zbardhjen e këtyre lidhjeve është thelbësor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me rast të izoluar apo me një skemë të strukturuar ndikimi. Iformacionet tona tregojnë se Ergys Agasi shetit i lirë sa në Durrës e sa në Tiranë dhe ka mbështjen e strukturave të policisë.