Kjo pjesë e dosjes, e përdorur nga SPAK në Gjykatën e Posaçme, ka shërbyer si baza për vendosjen e masave ndaj një grupi të strukturuar kriminal, i cili dyshohet se ka vepruar brenda një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit.
Fashikujt hetimorë të dosjes, që përbëjnë gjithsej 123 faqe, zbulojnë një skemë kriminale të ndërtuar mbi dhunë, rrëmbim dhe miliona euro që dyshohet se janë qarkulluar jashtë çdo kontrolli ligjor, duke tronditur themelet e sigurisë dhe besimit publik. Materiali është gjithashtu në dorë të avokatëve të tetë personave të akuzuar për pjesëmarrje në këtë organizatë me përmasa korruptivo-politike.
Hetimi ka nisur prej vitesh në Prokurorinë e Posaçme dhe ka shërbyer si pikënisje për zbulimin e një rrjeti të gjerë abuzimesh me tendera publikë. Sipas aktmaterialeve, skema dyshohet të ketë shtrirë ndikimin e saj deri në zyrën dhe ambientet pranë kryeministrit Edi Rama.
Në vijim të hetimeve gati njëvjeçare, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka firmosur tetë masa sigurie, të kërkuara nga SPAK, në lidhje me tendera të dyshuar abuzivë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Masat e sigurisë të firmosura nga GJKKO:
-
Arrest në burg: Ergys Agasi
-
Arrest në burg: Ermal Beqiri
-
Arrest në shtëpi: Mirlinda Karçanaj
-
Arrest në shtëpi: Hava Delibashi
-
Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit: Erion Ismaili
-
Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta
Sipas hetimeve, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë zotërues të disa shoqërive softuerësh dhe kompjuterike, të cilat dyshohet se kanë pasur kontrata me AKSHI-n. Personat e tjerë nën hetim janë zyrtarë ose ish-zyrtarë të këtij institucioni.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar për ekzekutimin e masave të sigurisë, ndërsa bashkë me to janë autorizuar edhe kontrolle banesash, disa prej të cilave ndodhen në zonën e Kodrës së Diellit në kryeqytet, ku procedurat vijojnë.
Ky hetim lidhet me të paktën 12 procedura tenderuese të AKSHI-t, secila me vlera në dhjetëra miliona euro, ku dyshohet se fituesit janë paracaktuar, duke ngritur dyshime të forta për një skemë të mirëorganizuar manipulimi dhe përfitimi të paligjshëm nga fondet publike.






