Aksioni i madh që nuk u pa kurrë

Policia “luftë me mullinjtë e erës”

Edhe pse bastet sportive janë të ndaluara me ligj në Shqipëri, realiteti në terren tregon se ky aktivitet vijon pothuajse i paprekur, duke ndryshuar vetëm formë dhe emër. Brenda vetëm një dite, rrjeti i njohur si “Bar Arena” u zhduk nga qarkullimi, por jo bastet që funksiononin pas tij.

Sipas denoncimeve të qytetarëve, pikat që më parë njiheshin hapur si “Bar Arena”, sot janë rishfaqur me emra të rinj si “Bar Barcelona”, “Bar Viena” apo emërtime të tjera neutrale, duke u maskuar si bare të zakonshme. Ndryshoi tabela, por jo aktiviteti.

Rreth 10 ditë më parë, në media u publikua një lajm ku flitej për aksione të mëdha policore kundër basteve të paligjshme. U përmendën kontrolle intensive dhe goditje të forta ndaj këtij tregu informal. Por në praktikë, asgjë e tillë nuk u pa.

Nuk pati operacione në terren, nuk pati mbyllje masive, nuk pati njoftime zyrtare për arrestime apo procedime penale. Aksioni i shumëpërfolur mbeti vetëm në letër.

Sipas burimeve dhe denoncimeve, tregu i basteve të paligjshme është aq i shtrirë dhe i organizuar, sa një informacion që supozohej të ishte sekret policor, u përhap me shpejtësi në të gjithë Tiranën. Paralajmërimi mbërriti përpara uniformave.

Si pasojë, pikat reaguan menjëherë: u mbyllën përkohësisht, ndërruan emërtimin dhe rifilluan aktivitetin nën një identitet të ri. Ndërkohë, aksioni i paralajmëruar u anulua në heshtje, pa asnjë sqarim publik dhe pa bilanc zyrtar.

Kjo situatë ngre pyetje serioze:

  • A u paralajmëruan aksionet përpara se të ndodhnin?

  • A po tolerohet ribrandimi i pikave të basteve si një zgjidhje “komode” për të mos prekur thelbin e problemit?

  • A po ndryshojnë drejtuesit e Policisë së Shtetit strategji, duke mbyllur sytë për sa kohë aktiviteti maskohet?

  • Apo drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e ka parë veten të ngushtuar, nën presion publik dhe institucional, duke shmangur marrjen e përgjegjësive direkte?

Nëse ligji është i qartë dhe ndalimi absolut, atëherë pse bastet nuk mbyllen, por thjesht riciklohen? Pse aksionet paralajmërohen, por anulohen? Dhe pse tregu i paligjshëm duket gjithmonë një hap përpara shtetit?

Pyetje që mbeten pa përgjigje, ndërsa bastet – ndonëse të ndaluara – vazhdojnë të funksionojnë, më të heshtura, më të maskuara, por po aq aktive.